Më mirë për Tetovën e dënon fuqishëm deklaratën e fundit të Hristijan Mickoskit, sipas të cilit arsimi i lartë në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes është në kundërshtim me Kushtetutën.
Edhe pse Mickoski nuk e përmend shprehimisht gjuhën shqipe, qëllimi i tij është i qartë. Me këtë deklaratë ai dëshiron të hedh dyshime mbi kushtetutshmërinë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Kjo deklaratë jo rastësisht u bë gjatë debatit për mbajtjen e provimin të jurisprudencës edhe në shqip. Fakti që një deklaratë e tillë vjen nga kryeministri, nga foltorja e Kuvendit, është alarmante.
Për më tepër, ky provokim vjen vetëm katër ditë pas Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe pikërisht në prag të Ditës së Flamurit.
Mickoski shkoi edhe më tej duke i cilësuar si “implant” zgjidhjet ligjore që mundësojnë arsimin e lartë edhe në gjuhë të tjera, kështu duke hapur rrugë për zhbërjen e të drejtave të shqiptarëve duke u thirrur në Kushtetutë. Një deklaratë e tillë përveçse është politikisht infantile, është edhe juridikisht e pabazë.
Asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk e ndalon arsimin e lartë në shqip. Amendamenti V njeh si gjuhë zyrtare edhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve, ndërsa Amendamenti VIII mbron identitetin gjuhësor të bashkësive dhe u njeh të drejtën të themelojnë institucione arsimore e shkencore.
Përdorimi i shqipes në arsim rregullohet më tej me Ligjin për arsimin e lartë dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, dhe sipas Amendamentit X, ligjet që prekin drejtpërdrejt arsimin ose përdorimin e gjuhëve janë të mbrojtura me shumicë të dyfishtë, të njohur si shumica e Badenterit.
Tendenca e Kryeministrit për të cenuar të drejtat e shqiptarëve dhe për të tkurrur ato, bartin frymën e Jugosllavisë Komuniste dhe Sllobodan Millosheviqit, të cilët ngushtonin të drejtat e shqiptarëve duke miratuar ligje përjashtuese dhe duke hequr autonomi krahinore.
Gjithashtu, ky tentim i Hristijan Mickoskit për të goditur arsimin në shqip na kujton përpjekjet e shokëve të tij nga VMRO, të cilët në vitin 1997 kundërshtonin mësimin në shqip në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit, duke u thirrur në Kushtetutë. Gati tridhjetë vjet më vonë, Hristijan Mickoski e përdor të njëjtin argument kundër arsimit në shqip, këtë herë nga foltorja e Kuvendit si kryeministër.
Ia kujtojmë Hristijan Mickoskit se gjuha shqipe dhe arsimi i lartë në shqip janë të shenjta për ne. Shqiptarët janë popull që ka dhënë dëshmorë për arsimin në gjuhën shqipe. Sistemi i atëhershëm, i udhëhequr nga e njëjta mendësi, e kundërshtonte hapjen e Universitetit të Tetovës. Ishte plumbi i shkrepur nga arma e policisë shtetërore ajo që vrau Abdylselam Eminin, por mësimi në gjuhën shqipe nuk ndaloi!
Maqedonia e Veriut duhet të turpërohet që për themelimin e një universiteti është derdhur gjak, por duhet të krenohet që në këtë vend flitet gjuha shqipe, një nga gjuhët më të lashta në faqen e dheut.
Hristijan Mickoski duhet ta ketë të qartë një herë e përgjithmonë që të drejtat e fituara me gjak nuk mund të cenohen me një deklaratë nebuloze nga foltorja e Kuvendit.
———–
Nënshkruani këtë reagim kundër deklaratës së Mickoskit: https://pertetoven.org/reagim/
