Shqipëria mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian në fund të vitit 2027, ndërsa anëtarësimi i plotë mund të realizohet deri në vitin 2030. Këto janë afatet e mundshme të paraqitura nga komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila theksoi se gjithçka do të varet nga rezultatet e reformave dhe mbështetja e vendeve anëtare.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Kos sqaroi se procesi i integrimit nuk ka një datë të garantuar, pasi kërkon përmbushjen e kritereve dhe miratimin e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Anëtarësimi në BE nuk është si një arsimim me një datë të përcaktuar, ku ti shkon në shkollë dhe mbaron gjimnazin e më pas merr diplomën e universitetit. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë dhe nuk ka pasur të tillë për asnjë vend. Nga njëra anë je ti dhe nga ana tjetër janë 27 të tjerët”, u shpreh komisionerja.
Megjithatë, ajo dha një perspektivë konkrete për ecurinë e Shqipërisë, duke theksuar se nëse vendi vijon me ritmin e reformave dhe merr mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare, në fund të vitit 2027 mund të jetë shumë pranë mbylljes së negociatave.
“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, deklaroi Kos.
Sipas skenarit të paraqitur prej saj, hapi i radhës do të jetë hartimi i traktatit të anëtarësimit. Pasi të mbyllet gjysma e kapitujve negociues, vendet anëtare do të krijojnë grupin e punës për përgatitjen e këtij dokumenti.
“Traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, theksoi komisionerja europiane.Gjatë konferencës, Marta Kos u ndal edhe te rëndësia e reformave dhe ecuria e vendeve të rajonit, duke theksuar se Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë financiarisht shtetet që përmbushin angazhimet e tyre. Sipas saj, Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave, ndërsa Shqipëria 80%, çka i mundëson vendit tonë të përfitojë 185.6 milionë euro.
“Vendet që nuk i përmbushin reformat nuk ecin përpara. Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave, Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Ne do të rrisim financimin për rezultatet që kanë më shumë ndikim. Vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim. Performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqës”, deklaroi Kos.
Komisionerja nënvizoi gjithashtu se zhvillimet politike dhe zgjedhjet në Shqipëri dhe në rajon do të kenë një ndikim të rëndësishëm në procesin e integrimit.
“Më shumë se kurrë zgjedhjet politike do të ndikojnë në rrugën drejt BE-së. Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën digjitale. Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale dhe do të diskutojmë edhe për ide dhe se si ky integrim gradual mund të sjellë më shumë siguri”, u shpreh ajo.
Kos vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në procesin e zgjerimit, duke e cilësuar vendin tonë një prej kontribuuesve në ecurinë pozitive të këtij procesi, ndërsa theksoi se zgjerimi po përjeton një nga periudhat më të suksesshme të 25 viteve të fundit.
