10.4 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaLajmeShtetësia, LSDM e BDI me shembullin e 2004-tës, Aziri: Po të ishte...

Shtetësia, LSDM e BDI me shembullin e 2004-tës, Aziri: Po të ishte i avancuar, do ta kishte zgjidhur problemin

Të hënën në orën 11, përfaqësues të Qeverisë të prirë nga kryeministri Zoran Zaev, pritet të takohen me dy krerët opozitarë shqiptarë, Ziadin Selën e Afrim Gashin për të gjetur zgjidhje për ligjin për shtetësinë. Kryeministri Zaev tashmë ka konfirmuar se ajo që do t’u propozohet opozitarëve është zgjidhje ligjore sipas shembullit të ligjit të vitit 2004 për marrje të shtetësisë.

“Nga takimi i fundit doli përfundim se me të vërtetë se dëshmitarët nuk janë zgjidhje por rreth 10 deri 15 kushte të listuara, me përmbushjen e një prej kushteve, sipas shembullit të 2004/05-tës do të munden numri më i madh e atyre qytetarëve të marrin shtetësi”, deklaroi Zoran Zaev.

Elmi Aziri nga koalicioni Aleanca-Alternativa thotë se nuk kanë informacione të sakta për qëndrimet e Qeverisë. Po ashtu nuk dëshiron që të prejudikojë procesin e as përfundimet e bisedimeve, bazë e të cilave thotë se duhet të jenë në përputhje me konventat dhe dokumentet ndërkombëtare.

“Ligji i viti 2004 po të ishte ligj afirmativ, i avancuar, do t’i zgjidhte këto probleme dhe nuk do të kishte probleme të kësaj natyre. Andaj mendoj që duhet të bazohemi në këto dokumente, në propozim ligjin të cilin e kemi propozuar ne, sepse ne vlerësojmë se këtu qëndron zgjidhja për këtë kategori të qytetarëve të cilët faktikisht janë pa shtetësi. Mendoj se nëse qasemi me këtë formë, realisht do t’i zgjidhim problemet, nëse kthehemi në mënyrë retroaktive me ligje që nuk i kanë zgjidhur problemet, nuk besoj se është rruga më e mirë”, vlerësoi Elmi Aziri.

TV21 mëson se mes LSDM-së dhe BDI-së si partnerë qeverisës tashmë ka një marrëveshje që do t’i propozohet Selës e Gashit. Ajo është integrimi në ligjin aktual i dëshmive për vërtetimin për përmbushjen e kushteve për banim sipas ligjit të vitit 2004.

Ndër dokumentet që parashihet të vlejnë si dëshmi janë dëftesa shkollore, libreza shëndetësore, pune ose kursimesh në banka të vendit, fatura të paguara të rrymës, ngrohjes ose ujit, dokument pronësie, vërtetim për tatim të paguar, pronë të paluajtshme, bujqësore dhe të tjera, vendim për obligime tatimore, vërtetim për mjekim të kryer në shtëpi të shëndetit publik ose dëshmi të tjera të lëshuara nga organe shtetërore me të cilat vërtetohet banim i përhershëm në territorin e Maqedonisë së Veriut.

DËSHMITË PËR VËRTETIMIN PËR PËRMBUSHJEN E KUSHTEVE PËR BANIM (2004)

  1. Dëftesë për shkollë të kryer në Maqedoni
  2. Librezë shëndetësore
  3. Faturë të paguar të rrymës, ngrohjes ose ujit
  4. Vërtetim nga drejtoria e të ardhurave publike për tatim të paguar pronë të paluajtshme, bujqësore dhe të tjera
  5. Vendim për obligime tatimore nga drejtoria e të ardhurave publike
  6. Dokument pronësie
  7. Librezë pune
  8. Vërtetim pune
  9. Fotokopje e të gjitha faqeve të dokumentit të udhëtimit
  10. Fotokopje e të gjitha faqeve të fletë udhëtimit për të huajt
  11. Letërnjoftim për të huajt
  12. Librezë kursimesh për para të deponuara në banka vendore
  13. Vërtetim për mjekim të kryer në shtëpi të shëndetit publik
  14. Dëshmi të tjera të lëshuara nga organe shtetërore me të cilat vërtetohet banim i përhershëm në territorin e RMV

Këtë opsion e konfirmon edhe koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së Arbër Ademi.

Si nga qeveria po ashtu edhe opozita shqiptare janë shprehur optimistë se në takimin e së hënës do të gjendet zgjidhje për ligjin për shtetësinë. Zgjidhja e kësaj problematike do të sillte edhe zhbllokimin e Kuvendit nga mijëra amendamentet e koalicionit ASh-AAA që janë dorëzuar në Kuvend.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments