15 C
Tetovo
E diel, 5 Maj, 2024
BallinaLajmeRMV, organizatat mediatike paralajmëruan rrezik për keqpërdorimin e parasë publike gjatë zgjedhjeve

RMV, organizatat mediatike paralajmëruan rrezik për keqpërdorimin e parasë publike gjatë zgjedhjeve

Reklamimi politik me pagesë edhe më tej mund të jetë subjekt i korrupsionit apo abuzimit partiak mediatik. Për zgjedhjet e ardhshme nuk janë marrë parasysh ndryshimet e pritshme në Rregulloren Zgjedhore, të cilat janë përkrahur dhe avokuar nga esnafët e gazetarisë dhe organizatave mediatike. Zgjidhjet e vjetra problematike në ligj mbetën, pavarësisht vërejtjeve që iu dhanë krijuesve të zgjidhjeve ligjore në disa takime konsultative të grupeve të punës. Zgjidhjet aktuale janë edhe një herë në dëm të mediave profesionale dhe qytetarëve. Organizatat sindikale mbeten në qëndrimin, pra propozimet e bëra në grupet e punës, që fushatat politike të mos financohen nga buxheti i shtetit, thuhet ne reagimin e ShGM-së, KEMM-së dhe SPGPM, transmeton Portalb.mk.

Si pasojë e kësaj, aktualisht 249 media online kanë raportuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për financim shtetëror për reklama partiake-politike në fushatën zgjedhore. Është e dyshimtë se disa prej tyre janë faqe me pronar të panjohur ose pa impresum, portale të sapokrijuara që dyshohet se janë krijuar qëllimisht vetëm për të marrë para për fushatën, si dhe portale që nuk publikojnë informacione me interes më të gjerë publik.

Për të parandaluar keqpërdorimin e mjeteve publike nga mediat fantazmë dhe për të shmangur keqinformimin e qytetarëve për procesin zgjedhor, është e nevojshme të bëhen ndryshime urgjente në Ligjin për media për krijimin e një regjistri të mediave online në Maqedoni. Për këto ndryshime ligjore ShGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM-ja i kanë theksuar vazhdimisht MSHIA-së si ministri kompetente, por qartësisht mungon vullneti politik për zgjidhje konstruktive ligjore.

Gjithashtu theksojmë se në kuadër të projektit “BE për lirinë e shprehjes: harmonizimi i legjislacionit kombëtar të medias me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane të medias”, i mbështetur nga BE-ja, në dhjetor 2023 u hartua një ligj i ri për median nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe i janë dorëzuar MSHIA-s. Ky projektligj i ri u parapri nga konsultime të gjera me disa palë të interesuara nga sektori i medias. Objektivat bazë të projektligjit, në përputhje me standardet evropiane, janë:

Krijimi i një regjistri publik të mediave online për të parandaluar ose reduktuar abuzimin e këtyre mediave nga partitë politike
përmirësimi i statusit socio-ekonomik të gazetarëve dhe punonjësve të medias nëpërmjet futjes së mekanizmave të kontrollit,
rritja e transparencës në pronësinë e medias dhe
mbështetje për pluralizmin në media për të mbrojtur interesin publik.
Mungesa e vullnetit politik për miratimin e ligjit të ri për media (që ishte obligim deri në fund të vitit 2023) do të ndikojë negativisht në pozicionin e Maqedonisë në indekset botërore të lirisë së mediave. Theksojmë se miratimi i ligjit të ri për median në Kuvend, e më pas zbatimi i tij, do të garantojë pavarësinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve dhe do të dëshmojë se MSHIA-ja dhe Kuvendi janë të përkushtuar ndaj proceseve pozitive të integrimit evropian.

Kërkojmë që partitë politike të përfaqësuara në kuvend t’i qasen sa më shpejt shqyrtimit dhe miratimit të ligjit të ri për media.

Kujtojmë se analiza “Autorizim diskrecional gjatë financimit të reklamimit të paguar politik”, e publikuar nga Qendra për Menaxhim me Ndryshimet tregoi se shuma milionëshe nga buxheti i RMV-së ndahen për reklamim të paguar politik në mungesë të procedurës dhe kritereve të qarta, me çka lihet hapësirë për keqpërdorime.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments