BallinaLajmeRMV / Oda Ekonomike me ligj kërkon të zvogëlojë festat! Propozohet: Nëse...

RMV / Oda Ekonomike me ligj kërkon të zvogëlojë festat! Propozohet: Nëse festa bie të dielën, e hëna të mbetet ditë pune

Propozohet zvogëlimi i numrit të festave. Oda Ekonomike ka paralajmëruar se do të dorëzojë ndryshime në Ligjin për festat, me të cilat, siç thonë, do të rritet produktiviteti i punëtorëve. Sipas Aneta Dimovskës, menaxhere e projektit në Odën Ekonomike, me këtë numër festash punëdhënësit kanë pasur probleme organizative dhe financiare, ndërsa punëtorët shpesh, duke i bashkuar ditët, janë larguar në shtetet fqinje. Ajo tha se me zvogëlimin e tyre do të afrohemi me kornizat e praktikave evropiane. Sipas propozimit, do të mbeten 11 festa shtetërore, ndërsa nga festat e tjera fetare ose ditët e komuniteteve, punëtorët do të mund të zgjedhin tri që do t’i festojnë.

“Të tjerat që janë përcaktuar si ditë jo pune për besimtarët e fesë ortodokse, janë 5 ditë: Dita e Buzmit, një ditë para Krishtlindjes, 19 janari – Uji i Bekuar, e Premtja e Madhe, një ditë para Pashkëve, 28 gushti – Fjetja e Shën Mërisë, e Premtja para Rrëshajëve, dhe më tej ligji thotë Kurban Bajrami, dita e parë e Kurban Bajramit për besimtarët e fesë islame, 22 nëntori – Dita e Alfabetit Shqip për pjesëtarët e komunitetit shqiptar, 21 dhjetori – Dita e mësimit në gjuhën turke dhe kështu me radhë”, tha Aneta Dimovska, menaxhere e projektit në Odën Ekonomike.

Dimovska theksoi gjithashtu se propozohet që, nëse festa bie të dielën, të mos ketë bartje të saj, përkatësisht në atë rast e hëna të mbetet ditë pune. E pyetur nëse për këto propozime janë konsultuar edhe me Lidhjen e Sindikatave, ajo tha se nuk i kanë informuar.

“Për këtë temë, jo. Propozimi do t’i dërgohet ministrisë kompetente për ekonomi dhe punë, më tej ata vendosin në çfarë mënyre do ta qarkullojnë këtë. Ekziston Këshilli Ekonomik-Social. Presim që të ketë reagime, por duhet të kuptohet se edhe kjo gjendje disi nuk funksionon”, u shpreh Aneta Dimovska, menaxhere e projektit në Odën Ekonomike.

Me propozimin e Odës nuk pajtohen nga Lidhja e Sindikatave.

“Oda Ekonomike flet për shkurtimin e festave, ndërsa për t’i paguar ato nuk duan as të dëgjojnë!”, shtoi Slobodan Trendafilov – kryetar i LSM-së.

Ndryshe, numri i ditëve festive u rrit në vitin 2007 përmes futjes së 3 festave të reja shtetërore, ndërsa si ditë jo pune u futën edhe disa festa fetare dhe ditë të komuniteteve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments