BallinaOpinionRamazan Bekteshi / Bomba politike për Bondsteel-in

Ramazan Bekteshi / Bomba politike për Bondsteel-in

Në tubimin e bashkimit të LDK-së, Vjosa Osmani tha: “…politikanë të caktuar thonë se Bondsteel-it duhet t’i qesim e t’i kërkojmë qira”, duke mos përmendur emra, por duke aluduar te kryeministri A. Kurti.

Lind pyetja: a ka çështje të klasifikuara për politikanët tanë që nuk duhet të diskutohen në publik për të demaskuar rivalët politikë, sidomos kur i takojnë së njëjtës nomenklaturë shtetërore? Kjo papjekuri më shumë e dëmton shtetin sesa aktorët politikë.

Nëse kjo është e vërtetë, pse ish-presidentja priti që marrëdhëniet të acarohen deri në atë shkallë sa të dalë me një “bombë” në publik, sa komprometuese aq edhe të frikshme, sepse flitet për asetin tonë më të çmueshëm: gardianin e lirisë, Bondsteel-in.

Të thuash në këtë formë se politikanë të caktuar mendojnë se duhet të kërkojmë qira, nuk është as bindëse e as e mbështetur me fakte. E po të ishte kërkuar vërtet, do të ishte një turp i madh, sepse kjo nuk ka bazë juridike, ndërkombëtare e morale.

Së pari, bazuar në Marrëveshjen Ushtarake të Kumanovës, por edhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, çështja qëndron ndryshe. Më poshtë janë ligjet dhe rregulloret ushtarake.

Oficerët e JAG-ut në Camp Bondsteel në Kosovë shërbejnë si këshilltarë ligjorë për komandën e Grupit Shumëkombësh të Betejës–Lindje, duke ofruar mbështetje ligjore për misionet paqeruajtëse të NATO-s. Ata trajtojnë, ndër të tjera, kërkesat për kompensim për dëme të mundshme në pronën lokale, të drejtën operacionale dhe drejtësinë ushtarake, shpesh duke punuar për të nxitur marrëdhënie pozitive me komunitetin.

Në rregulloren përkatëse, në pikat c dhe d thuhet si në vijim:

c. Detyrimet ligjore për pagesën e kërkesave në Kosovë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë detyrim ligjor për të paguar kërkesa në Kosovë. Marrëveshja Tekniko-Ushtarake u jep Shteteve të Bashkuara imunitet të plotë për çdo dëm që mund t’i shkaktojnë pronës publike ose private. Për më tepër, Rregullorja e UNMIK-ut 2000/47 u siguron Shteteve të Bashkuara imunitet të plotë nga çdo proces ligjor.

Siç shihet, Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës është arritur pa palën shqiptare, pra ata s’ishin prezent aty për shkak të inateve dhe rivaliteteve politike.

d. Heqja e përkohshme dorë nga imuniteti për kërkesat lidhur me pasuritë e paluajtshme. Pavarësisht imunitetit ligjor, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim politik që, përkohësisht, të pranojnë dhe shqyrtojnë kërkesat që lidhen me zënien apo përdorimin e pasurisë së paluajtshme në Kosovë.

Pra, siç shihet më lart, SHBA-të nuk kanë detyrim ligjor të paguajnë për shfrytëzimin e tokës, por për të ruajtur miqësinë me popullatën lokale, pranojnë kërkesa për kompensim dhe japin udhëzime për pronarët privatë.

Për pronat shoqërore janë dhënë këto udhëzime:

Prona në pronësi shoqërore i përket të gjithëve dhe askujt, ndërsa Qeveria e Kosovës ushtron kontroll të konsiderueshëm mbi ndërmarrjet shoqërore që operojnë me këtë pronë.

Rregullorja e UNMIK-ut 2000/47 përcakton se UNMIK-u do të bëjë përpjekje të arsyeshme për t’i vënë në dispozicion të KFOR-it dhe personelit të tij, pa pagesë, objektet dhe hapësirat publike të nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre.

Aktualisht, AKP-ja kontrollon ndërmarrjet dhe pronat shoqërore në Kosovë. Prona në pronësi shoqërore është, në thelb, pronë publike dhe Qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë që ta vërë pronën publike në dispozicion të KFOR-it pa pagesë. Përveç kësaj, privatizimi i mëvonshëm i pronës shoqërore nuk e ndryshon këtë detyrim dhe nuk krijon ndonjë detyrim të ri për pagesë qiraje.

Në bazë të kësaj rregulloreje të Ushtrisë amerikane — SOP — për çfarë të drejte kompensimi flet ish-presidentja, kur marrëveshjet dhe rregulloret e thonë të kundërtën?

Kjo “bombë”, e lansuar jo në një mbledhje midis krerëve të shtetit, por në një fushatë publike, e dëmton seriozisht kredibilitetin e zyrtarëve politikë dhe vetë shtetin.

Pa marrë parasysh inatet tona, ushtria amerikane jo vetëm që na çliroi, por edhe pas 27 vitesh vazhdon të na mbrojë dhe t’u paguajë qira fshatarëve tanë për pronat e shfrytëzuara, bazuar në kriteret e klasave, edhe pse nuk ka obligim ligjor.

Vallë, për çfarë qiraje shtesë është muhabeti?

Burimi: The Foreign Claims Act (FCA), SOP

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments