16.5 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeQeveria Kurti përveç 150 milionë euro për rrugën Prizren -Tetovë ndau...

Qeveria Kurti përveç 150 milionë euro për rrugën Prizren -Tetovë ndau edhe 2 milionë euro për Luginën e Preshevës

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten buxhetin për vitin 2022. prej 2.miliardë e 740 milionë euro

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuar zëvendëskryeministra, Besnik Bislimi dhe Emilia Redžepi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë mbledhje të 43-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot më 29 tetor 2021, me ç’rast kam kënaqësinë që ndodhemi bashkë, që për herë të parë të votojmë një buxhet që është i yni.

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithë ministrave për kontributin e jashtëzakonshëm sepse një buxhet i këtillë kaq gjithëpërfshirës e kaq ambicioz nuk do të ishte i mundur pa kontributin tuaj.
Sot në mëngjes, para fillimit të punës, jam takuar me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve me të cilin e kemi shqyrtuar edhe njëherë versionin final të buxhetit, dhe më duhet të them që, jo vetëm pse ky buxhet është i yni, por këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë.

Me këtë buxhet, ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, në mënyrë që fëmijët të kenë kujdesin e duhur, e gratë të integrohen në tregun e punës.
Me këtë buxhet, ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë.

Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët, dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata që janë më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin.
Kemi shtuar 35 milionë euro te pensionet dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesa për skemat sociale prej 30% të bëhet e përhershme.

Kemi shtuar edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale.
Me këtë buxhet, do të nisim ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, që do të bashkojë dy qytetet që i ndan mali i përbashkët i Sharrit.
Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro.
Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për sa e sa vite.
Kemi ndarë buxhetin dhe do të fillojmë projektin e banimit social e të përballueshëm, sapo të përfundojë studimi i fizibilitetit në pranverën që vjen.

Kemi ndarë 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, dhe do të mbështesim bizneset start-up dhe ato në teknologji të informacionit.

Kemi rritur buxhetin për kulturën e sportin, dhe për trashëgiminë kulturore.

Për herë të parë, kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtetet aleate.

Kemi rritur buxhetin për bujqësinë në mbi 70 milionë euro për herë të parë, dhe me grantet e donatorëve mbështetja totale do të rritet edhe më shumë.

Prodhuesit vendor do t’i mbështesim me 40 milionë euro për të zgjeruar kapacitetet, për të rritur cilësinë, dhe për të gjetur tregje për eksport.

40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për të financuar investimet në ndërmarrjet publike, në Trepçë e në Telekom, ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenies.

Do të furnizojmë policinë e zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta. Për këtë kemi ndarë 10 milionë euro.

Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej mbi 100 milionë euro, apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor, e synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të Bruto Produktit Vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s.

Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, na është mundësuar që ato mjete t’i ri-orientojmë në ushtri, dhe si rezultat do të rekrutojmë 840 ushtarë të rinj, drejt përmbushjes së objektivave të tranzicionit.

Këto, e shumë investime të tjera, janë bërë të mundura me vetëm 7 muaj qeverisje të mirë. Tek tani mund të vërehet se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje që nuk vjedh e nuk abuzon me paranë publike.

Puna e mirë ka filluar, dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

Ju faleminderit edhe njëherë të gjithë ministrave për kontributin e angazhimin, dhe tani e ftoj Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, zotëri Hekuran Muratin, që të na prezantojë me indikatorët kryesorë të Projektligjit të Buxhetit për vitin 2022.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments