7.9 C
Tetovo
E martë, 23 Prill, 2024
BallinaOpinionProf.Dr Mislim Zendeli /Arsimi dhe arsimimi – Quo vadis universitas?

Prof.Dr Mislim Zendeli /Arsimi dhe arsimimi – Quo vadis universitas?

Opinion nga Mislim Zendeli, profesor unversitar

Globalizimi ka çuar në mënyrë të pashmangshme në ndryshime të rëndësishme jo vetëm në mjedisin e biznesit, por edhe në institucionet e arsimit të lartë. Ndikimi i globalizmit reflektohet në krijimin e një atmosfere konkurruese që të kujton tregun e produkteve, kjo vlen edhe për institucionet e arsimit të lartë që në të njëjtën kohë duhet të përpiqen të tërheqin studentë dhe staf akademik me cilësi të lartë, vendas dhe ndërkombëtar për të pasur produktin më të kërkuar nga bashkësia ekonomike e shoqërore, studentë të aftë, kuadro të përgatitura për vende të ndryshme punësh.

Te ne kërkesa për shkollim sipëror dita ditës po venitet. Numëri i studentëve shkon në rënie drastike pothuajse nëpër të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Dhe me të drejtë sot, shumëkush parashtron pyetjen kah shkon arsimi sipëror në RMV-së? Cilat janë objektivat dhe qëllimet e këtij sistemi? Përgjigjet e kësaj pyetje janë të mëngëta e të vakta. Është fakt se varësia fodulle nga shkolla po zbehet. Ka një suficit letrash-diplomash. Shpesh, nëpër shkrime, hasen tituj për të ashtuquajturat “Fabrika të diplomave” dhe fjala është për universitetet që prodhojnë të diplomuar pa perspektivë. Gjithnjë e më shumë të rinj po marrin diploma universitare por shumë përfundojnë të papunë , në punë të pakualifikuara ose në punë jo përkatëse. Ndërkaq, kohët e fundit, shumë nga të rinjtë nuk janë fare të interesuar për letra të tilla pa vlerë por ikin në kërkim të perspektivës në vendet e tjera.

Të jesh brenda një institucioni të arsimit të lartë sot domosdoshmërish i shtrosh vetes pyetjen hamletiane të Shekspirit ”Të jesh apo të mos” pjesë e kësaj zezone, të këtij rrënimi. Është mëkat, madje i madh, të jesh pjesë e një shoqërie dekadente dhe të mos bëzash! Sot shumë student e pedagogë, apo pedagogë e student, do të parapëlqenin të mos vareshin nga universiteti dhe shkollimi. Ndjehet një “revoltë” e heshtur ndaj mënyrës së shkollimit të lartë (dhe jo vetëm!) e cila do të sjellë pasoja të paparashikueshme për shoqërinë tonë nëse nuk merren masa për rregullimin e çështjeve të pazgjidhura.

Humbja e besimit tek arsimi i lartë është duke krijuar efektin ΄boomerang΄. A mos vallë është duke u realizuar kërkesa anakronike e Ivan Illichit – privatizimi bashkëkorhorë i arsimit publik apo çshoqërizimi i shkollës, siç thekson Oliver Feltham? Apo parapëlqehet thirrja e Mark Zukerberg kohët e fundit lidhur me shtimin e presionit të tregut mbi universitetet duke pretenduar se arsimi i lartë nuk është i domosdoshëm për te arritur te suksesi? Një nga sloganet më të përhapur të arsimit bashkekohorë në shoqëritë e zhvilluara është mësimi i tërëjëtshëm, i vazhdueshëm, ndërkaq tek ne ikja nga dija, shkollimi (sic!), a nuk është situatë absurde kjo në të cilën ne gjendemi!?

Fokusimi kah e ardhmja është element parësor gjatë krijimit të një institucioni të qëndrueshëm të arsimit të lartë. Andaj është e nevojshme të kuptohen faktorët afatgjatë dhe afatshkurtër që ndikojnë në institucion dhe në tregun e dijes. Menaxhimi efektiv i arsimit dhe ngrijta e performancës kërkon një orientim të qartë në të ardhmen për të arritur një angazhim afatgjatë si për studentët ashtu edhe për grupet tjera kryesore të interesit, apo siç quhen ndryshe ΄stejkholdersa΄.

Planifikimi i institucioneve të arsimit të lartë duhet të parashikojë shumë faktorë, siç janë ndryshimet në kërkesat arsimore, disponueshmëria e burimeve, pritjet e studentëve dhe partnerëve, mundësitë e reja të partneritetit, zhvillimi i punonjësve, zhvillimi i teknologjisë, ndryshimet demografike në segmentet e tregut, modelet e reja të biznesit, ndryshimet e komunitetit, pritjet sociale, dhe lëvizje strategjike. Për ndryshime strategjike në ambientet akademike duhet te alokohen burimet si dhe të gjithë të unifikojnë veprimet për arritjen e këtyre ndryshimeve.

Që të mund të realizohen qëllimet strategjike të një sistemi siç është arsimi i lartë paraprakisht duhet të njihemi me grupet e interesit apo ΄stejkholdersat΄ e atij sistemi. Grupet e interesit janë të gjithë ato grupacione ose individë të cilët kanë ndikim ose ndikohen në sistemin organizativ. ΄Stejkholdersat΄ e institucionit Universitet janë: studentet, stafi akademik dhe menaxhmenti, prinderit, Ministria e arsimit, Komuniteti i biznesit. Secila prej këtyre grupeve ka interesat, pritshmëritë dhe kërkesat e veta në bazë të të cilave ndikojnë drejtpërsëdrejti në realizimin e objektivave.

Studentet

Studenti shqiptar i djeshëm, po pse jo edhe ai i sotshmi, mban mbi supet e tij njё tё kaluar historike me pёrpjekje dhe veprimtari e cila ndihmoi qё tё demokratizohet shoqëria në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarёt. Gjithkush njeh rolin e madh qё luajtёn studentёt shqiptarё në Kosovë për realizimin e Kosovës si shtet të pavarur, nё Shqipёri pёr ardhjen e njё sistemi demokratik, në Maqedoni studentёt ishin kërkuesit më të zëshëm për të drejtat kombëtare dhe njerëzore. Ishin studentët që pranuan vetëflijimin për një qëllime larta. Studentët janë grupi më i rëndësishëm i interesit i cili njëherësh është objekt dhe subjekt i këtij shkrimi. Ata janë dhe përfituesit dhe njëkohësisht humbësit më të mëdhej të sistemit të arsimit të lartë. Të qenurit student është një nga fragmentet ose etapat më të rëndësishme të jetës, kjo për vetë arsyen se në këtë stad, komponent si : informacioni, energjia, idetë inovatore, frymëzimi, konkurrenca, guximi formojnë një sistem i cili bën ΄gatimin΄ e këtij brezi të ri të gatshëm për ΄leadership΄-in e së ardhmes. Në praktikë studentët në shikim të parë janë të “ kënaqur” me statusin dhe kushtet e studimit dhe nuk bëzajnë, por në brendi diçka po “ vlon!” Ndaj mendimin se pjesa dërmuese e tyre janë të dezorientuar pa qëllim jetësor si dhe pa vullnet për të studjuar. Asnjë inisiativë apo aksion për ndryshimin e gjendjes, asnjë kërkesë e hapur për ballafaqim me realitetin, heshtje….., asnjë kundërshtim. Kurse prapa kulisave shumica është e pakënaqur dhe plot mllef për gjendjen. Fajtorë parasegjithash janë vetë ata, pasi kanë zgjedhur heshtjen si formë të shprehjes së pakënaqësisë. Qofsha i gabuar por pjesa më e madhe e tyre janë në universitet sa për të thënë, nuk janë të interesuar për dije, shkencë as për arsimim e kulturë, por për një copë letër që quhet diplomë, përmes së cilës shumkushi që i është dhënë mundësia është punësuar kryesisht në institucione publike. Kuptohet se punësimi është bërë përmes lidhjeve partiake, farefisnore nepotiste, klanore e mbase edhe me lekë.

Këshillat studentorë janë organizata të cilët krijohen për të bërë jetën studentore më  atraktive duke krijuar p.sh  klube debati ku studentët mund të shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin për tema të ndryshme, klube sportive duke organizuar argëtime, gara e kampionate, mund të ftojnë personalitete për mbajtjen e konferencave të hapura me interes për studentët, mund të organizojnë evente, por gjithashtu mund të jenë edhe një zë shumë i fuqishëm ose njëfarë “avokati” për mbrojtjen e të drejtave të shkelura të studentëve nga stafi akademik i universitetit dhe nga menaxhmenti. A janë të përfaqësuar siç duhet studentët nëpër këto Këshilla dhe sa janë të interesuar që Këshillat të jetësojnë objektivat, është pyetje që pret përgjigje.

Studentët duhet të ndërgjegjësohen për rolin e tyre në shoqërinë moderne. Që të fitohet një pasqyrë e të dhënave me relevancën e kërkesave, interesave, përkushtimeve dhe çështjeve tjera që mbërthejnë këtë grup interesi duhet sa më parë të bëhet një hulumtim multidimensional i njohjes me studentët: stilet e tyre të të mësuarit, çfarë dinë, çfarë duhet të dinë, çfarë lloj përvoje të të mësuarit kanë, mendimet e tyre në lidhje me problemet me mungesat dhe mangësitë, problemet finansiare, vëllimin e kurrikulave, organizimin administrativ, pagesat e larta, sistemet e vlerësimit, mënyrat e ligjërimit, marrëdhëniet profesor-student, mjetet e punës, etj.

Në periudhën e bashkëpunimit global, në gjendjen politike të Europës duket se rëndësi po i kushtohet edhe studentëve si dhe rolit që ata simbolizojnë, si e ardhmja e një vendi. Janë favorizuar një sërë programesh dhe veprimtarish të nivelit evropian, si p.sh. programet Erasmus, Socrates, etj., që kanë si qëllim t΄i vënë në kontakt studentë nga shtete të ndryshme, bartës të kulturave të ndryshme. Rezultatet edhe në këtë drejtim nuk janë po aq të padukshme ndërkohë që për fajtorë nuk flitet. Stafi akademik dhe menaxhmenti Malko Baldridge flet për disa kritere të cilësisë së institucioneve arsimore ku mes tjerash numëron: udhëheqjen vizionare, edukimin e orientuar kah mësimi, mësimin organizativ dhe personal, vlerësimet e punonjësve (mësimdhënës dhe staf administrativ) dhe partnerëve, shkathtësinë, përqendrimin në të ardhmen, menaxhimin e inovacionit, menaxhimin e bazuar në fakte, përgjegjësinë sociale dhe të ngjashëm. Shumëçka nga këto kritere te ne nuk merren parasysh.

Ky grup i interesit edhe pse deklarohet se është për një vënie rregulli në zbatimin e procedurave dhe detyrave që parashihen në planet dhe strategjitë zhvillimore të fakulteteve dhe universiteteve. Por në fakt merret me vetveten, shikon përfitimet materiale, punësimet e fëmijve të vet, familjarëve dhe shokëve të bizneseve private dhe fare pak të mos themi aspak janë të interesuar për mbarëvajtjen e procesit arsimoro-shkencor. Shumica e pedagogëve janë demagogë pasi në jetën e tyre nuk kanë arritur asgjëkundi, pa një ditë praktikë. E kanë gojën plotë me zgjidhje, rrugëtime, strategji e të ngjashme. Mosinteresimi i skajshëm i disave nga stafi akademik është si rrjedhojë e demotivimit ngaqë pagesat, promocionet dhe avancimet në detyra bëhen sipas jashtë meritokracisë. Prandaj ky grup nuk është i interesuar për ndryshime dhe progres. Dihet se manaxhmenti i fakulteteve dhe universiteteve si detyra parësore kanë realizimin e objektivave të institucionit ku veprojnë. Por mbledhjet e këshillave të ndryshëm të forumeve akademike janë shterpe dhe formale. Në to bëhet harxhimi i kotë i kohës përmes shqyrtimit të problemeve banale dhe të mërzitshme, aty nuk shqyrtohen ide dhe trende bashkëkohore për qëllime strategjike në procesin edukativo arsimor. Një problem jetik është edhe anashkalimi i studentëve në vendimmarrje dhe planifikim duke nisur nga oraret e angazhimeve e deri te planifikimi dhe vlerësimi i kurrikulave.

Stafi akademik dhe menaxherial i universitetit as që ndjejnë nevojë të përveshin mëngët të analizojnë tregjet e punës, të rivlerësojnë programet studimore konform kërkesave të komunitetit të

biznesit, të përcjellin sukseset dhe rrugëtimet e studentëve pas mbarimit të shkollimit, të analizojnë faktorët e dështimeve etj. Ndërkaq për detyrën parësore të tyre të ofrimit të ekspertizave kërkimore, konsulencave dhe trajnime në një varg fushash të specializuara të e menaxhimit, tregtisë, industrisë, etj. as që bëhet fjalë. Shërbimet e tilla këshilluese dhe ekspertiza për bizneset dhe organizatat e komunitetit do të ndihmonin mjaft në punësimin e të diplomuarve dhe jo vetëm.

Prinderit

Si grup interesi i sistemit të arsimit të lartë është një ndër humbësit më të mëdhenj në aspektin material dhe shpirtëror. Ata janë shumë të interesuar që fëmijet e tyre të arsimohen dhe shkollohen për të mos pësuar si ata (Sic!). Nuk ka si të mos pranohet fakti se prindërit kërkojnë më të mirën për fëmijën e tyre. Dihet se burimet kryesore të financimit të studentëve te ne janë buxhetet familjare të prindërve. Andaj ata duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm për performancat apo rezultatet e shkollimit akademik të fëmijëve të tyre. Por është më se e qartë se ekziston një nivel i ulët i ndërgjegjësimit të prindërve për rolin e tyre në sistemin e quajtur arsim i lartë. Prandaj shtrohet pyetja ç’bëjnë ata për ndryshime rrënjësore të strukturës së arsimit të lartë, sa i përcjellin performancat dhe problemet me të cilët ballafaqohen fëmijët e tyre? Ende shumë i vogël është numri i prindërve që marrin pjesë apo ndikojnë në vendimmarrjen jetësore në përzgjedhjen e profesionit. Ndërkaq edhe kur bëjnë këtë ndërhyrje nga dëshirat dhe preferencat e tyre, injorojnë prirjet dhe dëshirat e fëmijëvet të tyre gjë që i demotivon të rinjtë. Fare pak janë të interesuar për çështjet që kanë të bëjnë me : perspektivën profesionale, kushtet e studimit, teknologjinë dhe sistemet informative me të cilat disponon universiteti, kapacitetet akademike të fakulteteve dhe të ngjashme. Ata fare nuk interesohen për kurrikulat, afatet e provimeve dhe për çështje të tjera. Dhe shi ky mosinformim i tyre domosdo ndikon në ecajaket dhe pritshmërinë nga fëmijët e tyre në veçanti në vitet e para të studimit. Arsyet e mosqasjes në këtë problematikë janë: prindërit janë të zënë. prindërit kanë frikë të flasin, nuk kanë shembuj prej së kaluarës të cilët mund t’i ndjekim, mosnjohje e praktikës së mirë, nuk besojnë se gjërat mund të përmirësohen dhe të ngjashme. Përgjegjësia që bie mbi këtë grup interesi pasi ata janë ndër fajtorët kryesor që mundësojnë shndërrimin e fëmijëve të tyre në shitës cigaresh, bajamesh, paketa shamish, punëtorë ndërtimi, kamarierë dhe staf ndihmës përgjithësisht në ekonominë private, edhe përkundër diplomës ΄bachelor΄, ΄master΄ madje edhe doktoraturë. Pasojat e këtij mosinteresimi për ardhmërinë e arsimit sipëror të gjeneratave të reja nga ana e prindërve janë të njohura, shumëkush tani edhe nga ky tabor parapëlqejnë rrugëtimin e Bil Gejtsit dhe jo vetëm, i cili la fakultetin dhe u arsimua ashtu siç deshti duke u bë ndër njerëzit më vizionarë dhe më i pasur në botë.

Komuniteti i biznesit

Komuniteti i biznesit dhe universitetet paraqesin dy faktorët shumë të rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik, meqë të parët ofrojnë mundësi punësimi, kurse të dytët prodhojnë kuadro të reja në vazhdimësi. Prandaj bizneset dhe universitetet duhet të bashkëpunojnë mes veti, në formë që të zvogëlojnë diskrepancën në mes kërkesës për fuqi punëtore dhe profileve ekzistuese profesionale në tregun e punës. Ndërmarrjet e të gjitha sferave si prodhuese edhe atyre shërbyese duhet të kenë parasysh se qendrat më të mira të regrutimit të punëtorëve të tyre janë parasëgjithash universitetet. Andaj komuniteti i biznesit duhet të gjejë forma për të arritur deri te përputhja mes kuadrove që prodhohen në universitete dhe atyre që kërkohen në treg. Kontributi i këtij komuniteti realizohet  përmes vendosjes së kuotave, dhënies së stipendioneve, sigurimin e vendpunësimit pas diplomimit e të tjera. Por, sa ka arritur komuniteti i biznesit të realizojë këtë objektiv është pyetje të cilën shumëkush e parashtron. Si duket ky komunitet kërkon shumë dhe nuk jep asgjë në këtë drejtim. Shumica e pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve kërkojnë profile të ndryshme por nuk tregojnë gatishmëri të investojnë në krijimin e kuadrove të nevojshme përmes kreditimit të studentëve të mirë, pranimit në punë praktike, pranimit në punë pas mbarimit të studimeve dhe investimit në zhvillimin e aftësive të nevojshme dhe forma të ngjashme.

Telashet e komunitetit biznesor janë të nduarnduarshëm por sot, kur kemi një migrim enorm të të rinjve, brenga më e madhe është mungesa e fuqisë punëtore të profilizuar. Organet qeveritare, odat ekonomike si dhe OJQ-të më shumë debatojnë se sa merren me forma konkrete të zgjidhjes së problemeve të kësaj natyre. Ndërhyrjet politike pa strategji zhvillimore në sferën e arsimit të lartë kanë tradhtuar pritjet e komunitetit të biznesit. Hapja e universiteteve dhe fakulteteve pa nevojë në çdo cep dhe sipas tekeve partiake, si dhe ndryshimet e shpeshta në ligje dhe vendime adhoc kanë shtuar kaosin në tregun e fuqisë punëtore. Të gjendur në një situatë të palakueshme ndërmarrjet e shumta gjenden ashtu si munden, pasi ky sistem i arsimit i pakoordinuar me kërkesat nga ekonomia reale dhe jo vetëm ka sjellë suficit të disa profileve nga njëra anë dhe deficit të profileve të nevojshme për komunitetin e biznesit.

Marrëveshjet që universitetet i nënshkruajnë me përfaqësuesit e bashkësive të biznesit bëhen sa për sy e faqe dhe nuk shfrytëzohen në afrimin e të diplomuarve të pajisur me dije teorike që të njëjtën ta zbatojnë në praktikë.

Ministria e arsimit

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka mision ta zhvillojë arsimin dhe sistemet edukative arsimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ta zhvillojë shkencën, arritjet shkencore dhe risitë përmes aplikimit të parimeve të cilësisë, ekonomizimit, përgjegjësisë qytetare dhe të lidhshmërisë me tregun e punës. Ndërkaq si detyra parësore të saj numërohet: edukimi dhe arsimimi i të gjitha llojeve dhe shkallëve; organizimi, financimi, zhvillimi dhe avancimi i edukimit, arsimit dhe shkencës; verifikimi i profileve dhe profesioneve në arsim; standardi i studentëve, zhvillimi teknologjik, informatikë dhe i kulturës teknike, sistemi i informacionit; bashkëpunimi shkencor-teknik ndërkombëtar; mbikëqyrja e kompetencave të saja dhe të ngjashme.

Arsimi ështe investim shoqëror por me këto financa me të cilat disponon arsimi universitar jo vetëm që nuk i shërben shoqërisë por edhe i bën dëm asaj duke nxjerrë kuadro të papërgatitura siç duhet. Mungesa e investimeve shtetërore në arsimin sipëror dhe qasja joserioze të problemeve në këtë segment nga ana e shtetit ka bërë që të arsimi i lartë të merr teposhtën. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është organ më i lartë republikan i krijuar enkas për, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e strukturave të arsimit të lartë, kjo ministri nuk u transformuar konform kushteve të krijuara por ngeli me veset dhe veprimet e para disa dekadave, ndërkohë që kujdesi për studentët lenë për të dëshiruar.

Në vend që të sigurojnë të gjitha kushtet e domosdoshme për ngritjen e nivelit arsimor, strukturat dhe organet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës siç janë inspektorati për arsim, këshilli për akreditim dhe të ngjashëm këto organe janë shndërruar në ente për punësimin e fëmijëve të vet dhe atyre partiakë. Organet e tilla shtetërore përpilojnë dhe përpilojnë ligje, bëjnë dhe ribëjnë reforma, dhe kurrsesi të stabilizojnë, të reformojnë dhe ta transferojnë arsimin e lartë në lokomotivë të progresit të përgjithshëm ekonomiko shoqëror. Për fat të keq është konstatim i përgjithshëm se kjo Ministri jo që nuk arrin objektivat dhe misionin e saj por, herë-herë bëhet frenues i zhvillimit të arsimit të lartë. Për fajin e saj sot universitetet nuk prodhojnë dije por vetëm diploma. Ivan Ilich-it autori i veprës “Shoqëria pa shkollë” lidhur me këte mes tjerash thotë: “Një sistem i mirë arsimor duhet të ketë tre qëllime: atyre që duan të mësojnë t΄u ofrojë mundësinë për t΄i përdorur burimet e disponueshme në cilindo moment të jetës së tyre; atyre që duan të ndajnë me të tjerët atë ç’ka kanë mësuar, t΄u bëjë të mundur të takohen me ata që duan të mësojnë prej tyre dhe së fundmi atyre që duan të shtrojnë një çështje në publik, t’u sigurojë mundësinë për ta bërë”. A është duke arritur këto tre qëllime Ministria jonë e arsimit dhe shkencës?

Përgjigja është jo dhe jo vetëm këto qëllime por nuk ka arritur të realizojë edhe vizionin në misionin e saj të deklaruar. Përgjegjësit dhe fajtorët dihen! Poqëse do të reformohej sistemi i arsimit të lartë do të ndalej edhe migrimi i të rinjve të posadiplomuar.

Për në fund

Arsimi është një e mirë sociale e cila ka efekt në zhvillimin shoqëror në tërësi. Andaj reforma në arsimin e lartë po imponohet si një përgjigje logjike ndaj transformimit shoqëror. Ndërkohë që mungesa e vullnetit politik, si dhe mungesa e një sistemi mekanizmash financiare të sektorit publik dhe mungesa e stimujve nga ekonomia dhe sektori jofitimprurës, lënë pasoja të konsiderueshme në zhvillimin e shpejtë të sektorit të arsimit të lartë dhe reformimin e tij. Duke e ndjerë revoltën e heshtur ndaj shkollimit të lartë dhe neglizhencën e grupeve të lartpërmendura të interesit si dhe interesat divergjentet të tyre kam frikë se sistemi i arsimit të lartë te ne nuk do mund të realizojë objektivat e ekzistimit, e kjo do sjellë pasoja të paparashikueshme në zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror. Kështu ΄pse΄-ja e ekzistimit do ta humb kuptimin. Kjo, siç duket, do t’ i detyrojë të gjithë ΄stejkoholdersat΄, parasëgjithash studentët që të shërojnë komplekset, të ngrejnë vetëbesimin dhe të bërtasin madje të ulurojnë e të gjejnë rrugë për dalje nga ky ngërç akademik. Se cilës rrugë do të vej arsimi sipëror në vendin tonë, varet parasëgjithash nga studentët të cilët janë njëherazi edhe produkt edhe kërkesë e një sistemi të arsimit të lartë, pra nga ata dhe vetëm nga ata varet se a do të ndodhë shkollimi apo çshkollimi që do të shkatërrojë këtë sistem nevralgjik shoqëror.

Kritika kundrejt devijimeve të natyrave të ndryshme në procesin e arsimit të lartë duhet të jetë një luftë intelektuale e vazhdueshme kundër anarkisë së shpirtit dhe vetë regjimit të marrëzisë. ” Detyra e shkencës dhe e akademisë është të arrijnë te njerëzit në lidhje me sjelljen njerëzore në një sërë rrethanash (natyrore, sociale, kulturore), me qëllim që të mos manipulojnë e manipulohen vetë njerëzit. Qёllimi i këtij shkrimi nuk ёshtё qё të shtoj mllefin por dashurinë, ndaj universitetit dhe simbolitqё ai gёzon. Sepse universiteti mbi tё gjitha ёshtё simboli i ideve, i horizontit tё gjerё dhe i dyshimit kundrejt çdo tabuje kufivёnёse. Kurse studenti ёshtё mbrojtёs i kёtij vizioni dhe kalorёs i dritёs qё ai shёmbёllen. Mendoj se ka arrdhur koha që studenti, në veçanti në RMV, të dëshmojë fuqinë dhe pjekurinë për ndryshime, jo vetëm në organizimin dhe realizimin e objektivave por edhe fuqishëm të ndikojë në rrjedhat e përgjithshme shoqërore për një jetë më dinjitoze

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments