Qytetarë serbë kanë protestuar të hënën (12.02.2024) në Mitrovicën Veriore kundër vendimit të Bankës Qendrore për dinarin, monedha e Serbisë.
Kjo protestë u shfrytëzua për shpërndarjen e fletushkave. KALLXO.com mëson se këto fletushka u shpërndanë gjatë e pas protestës tek qytetarët që morën pjesë e të tjerë që ishin kalimtar të rastit.
Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u tha se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor dhe etnik”.
Rasti u tha se është duke u hetuar.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani lidhur me këtë rast.
Ai ka thënë se pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hapur rasti “thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”.
Elshani tregoi se nuk ka ende të dyshimtë e as të arrestuar lidhur me shpërndarjen e këtyre materialeve të dyshimta.Rreth 1 mijë e 800 qytetarë kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut kundër rregullores së BQK-së, ata po e cilësojnë këtë si sulm e diskriminim ndaj tyre.