BallinaLajmePas paralajmërimit për hetim në Hungari, Mickoski: Ishte më e favorshmja në...

Pas paralajmërimit për hetim në Hungari, Mickoski: Ishte më e favorshmja në treg për vendin

Pasi kryeministri hungarez Peter Magyar paralajmëroi hetim për kredinë prej një miliard eurosh, të cilën Maqedonia e Veriut e mori përmes bankës shtetërore hungareze “Eximbank”, duke deklaruar se norma e interesit me të cilën Hungaria ia dha kredinë vendit ishte dukshëm më e favorshme sesa normat me të cilat kompanitë dhe qytetarët hungarezë marrin kredi, por edhe më e ulët se norma me të cilën vetë shteti hungarez huazohet, kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se kjo konfirmon pretendimet se kredia ishte jashtëzakonisht e favorshme, madje më e favorshmja në treg për vendin, edhe pse opozita atëherë e cilësonte si një kredi shumë të dëmshme që do t’i ngarkonte brezat e ardhshëm me borxhe.Ai tha se kredia është shfrytëzuar për të shlyer një eurobond prej gjysmë miliard eurosh, ndërsa 250 milionë euro janë investuar në komunat dhe 250 milionë euro në ekonomi përmes bankave komerciale me një normë preferenciale interesi prej 1,95 përqind, gjë që sipas tij ka qenë një nxitje e rëndësishme për ekonominë dhe ka rezultuar me rritje të bruto produktit vendor.

“Nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e parë të vitit 2026, përfundimi është se ekonomia maqedonase është rritur me tre përqind në terma realë, ndërsa partneri ynë më i madh tregtar, Bashkimi Evropian, ka shënuar rritje prej 1,4 përqind dhe eurozona 1,25 përqind. Në kushte kur partneri ynë më i madh tregtar rritet me një normë dy herë më të ulët se e jona, ne kemi siguruar një rritje të konsiderueshme, ndërsa në terma nominalë ekonomia jonë po rritet me mbi dhjetë përqind. Sipas Bankës Botërore dhe FMN-së, për dy vjet kjo qeveri e ka rritur BPV-në nominale për 4,65 miliardë dollarë. Qeveria e kaluar e rriti atë për 4,5 miliardë dollarë në gjashtë vjet”, tha Mickoski.

Ai shtoi se sa herë që, sipas tij, “kuazi-ekspertët” e opozitës në Kuvend flasin për ekonominë, duhet t’i kenë parasysh këto shifra, edhe pse, siç tha ai, ato nuk u shkojnë në favor.

“Një plus një bëjnë dy, ndërsa ata duan të na bindin se 1+1 bëjnë gjashtë. Opozita ka ekspertë në Parlament që përpiqen të na bindin se e zeza është e bardhë dhe anasjelltas”, përfundoi Mickoski.

Javën e kaluar, kryeministri hungarez Peter Magyar deklaroi se qeveria e re hungareze do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të mjeteve shtetërore lidhur me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbank”-a shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut gjatë qeverisë së mëparshme të Viktor Orbanit, pasi ajo ishte miratuar me kushte shumë të favorshme dhe me një normë interesi prej 3,25 përqind.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments