Kompania gjermane BMZ, e cila prodhon sisteme baterish, ka konfirmuar se do ta mbyllë fabrikën e saj në Maqedoninë e Veriut në TIDZ Bunarxhik -Shkup dhe do ta zhvendosë prodhimin në Poloni, duke theksuar se procesi do të realizohet me përgjegjësi ndaj punonjësve.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se BMZ është e vetëdijshme për pasojat që ky vendim do të ketë për të punësuarit në vend.
“BMZ e njeh ndikimin që ky vendim do të ketë mbi të punësuarit në Maqedoninë e Veriut. Kompania është plotësisht e përkushtuar që këtë tranzicion ta realizojë me përgjegjësi, transparencë dhe respekt ndaj të gjithë punonjësve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Për largimin e investitorit janë njoftuar edhe në Drejtorinë për Zonat Zhvillimore Teknologjiko-Industriale (TIDZ). Nga kjo drejtori, për televizionin Telma, janë shprehur se tashmë po ndërmerren aktivitete për të zbutur pasojat e mbylljes së fabrikës.
Sipas TIDZ-it, një investitor që tashmë operon prej kohësh në Maqedoninë e Veriut ka shprehur interes për të punësuar një pjesë të punonjësve të BMZ-së, megjithëse nuk është bërë publik emri i kompanisë.
Po ashtu, nga drejtoria bëjnë të ditur se gjatë këtyre ditëve pritet të mbërrijë në vend një investitor tjetër nga Bashkimi Evropian, me të cilin do të zhvillohen bisedime për shfrytëzimin e kapaciteteve të fabrikës së BMZ-së. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një kompani nga industria automobilistike apo nga një sektor tjetër. përcjell Zhurnal.mk .
