Çka është humbja? Nuk e dimë, ne jemi Kosova dhe nuk mposhtemi as në Bullgari
Kosova e ka quar në 14 numrin e ndeshjeve rresht pa humbje, pas triumfit sensacional 3-2 kundër Bullgarinë, të hënën mbrëma.
“Dardanët” ishin të parët që kaluan në epërsi me anë të Milot Rashicës në minutën e 14-të, por vendësit barazuan me Ivelin Popov në minutën e 43-të.
Bullgarët pastaj shënuan edhe golin e epërsisë së parë për ta në ndeshje në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 55-të përmes Kristian Dimitrov, shkruan Periskopi.
Mirëpo, kosovarët nuk u ndalën duke e kërkuar vazhdimisht golin e barazimit, të cilin e arritën në minutën e 64-t. Vedat Muriqi kërceu më së larti në zonë pas një krosimi nga Benjamin Kololli duke shënuar për 2-2.
Në vazhdim, Kosova pati raste të panumërta, por golin e fitores e shënoi në minutat shtesë, nëpërmjet Elbasan Rashanit, i cili shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Rashicës për t’i dërguar në ekstaza fansat kosovarë.
Pas tri ndeshjeve të luajtura në Grupin A të kualifikimeve, “Dardanët” zënë pozitën e tretë me pesë pikë, një pak se Anglia dhe Republika Çeke që kanë nga gjashtë.