Bruksel, 27 qershor – Organizatori i studentëve nga Shqipëria, të cilët mbështetën protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Dasho Veizaj, ka ngritur në nivel ndërkombëtar çështjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Gjatë punimeve të Paktit të Ri Demokratik për Europën, Veizaj zhvilloi një takim me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Petra Bayr, ku diskutimi u përqendrua te gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Veizajt, në takim u theksua se nuk mund të ketë kompromis me të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare, ndërsa ai kërkoi vëmendje më të madhe ndërkombëtare për situatën me të cilën përballen shqiptarët dhe veçanërisht studentët, për shkak të pengesave institucionale.
“Në qendër të bisedës tonë ishte mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Nuk mund të ketë kompromis me gjuhën amtare; i bëra thirrje për vëmendje ndaj situatës së vështirë që po kalon komuniteti ynë dhe studentët atje përballë pengesave institucionale”, tha Veizaj.
Në të njëjtën kohë, Veizaj prezantoi edhe përvojën e Shqipërisë në përfshirjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes, duke vlerësuar se rinia shqiptare ka kaluar nga një rol pasiv në një aktor aktiv në politikëbërje.
Ai bëri të ditur se synimi është që Tirana të shndërrohet në një qendër të diplomacisë rinore evropiane, përmes organizimit të një Forumi Rinor Europian në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe drejtoreshën Sara Bodo, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes të rinjve të kontinentit
