Kryeministri, Edi Rama, ka komentuar marrëveshjen parazgjedhore të një dite më parë mes PD dhe LSI.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai e cilësoi të paprecedentë që dy parti që nuk garojnë bashkë të firmosin marrëveshje paraelektorale.
Për Ramën, ky është një plan i ish-kryeministrit Berisha dhe presidentit Meta për ta lidhur Bashën me zinxhirë para zgjedhjeve.
Fajin për këtë ai e gjen te Basha, që sipas Ramës nuk arriti të bëhet lider por mbeti administrator i asaj partie.
Rama: Sa i përket marrjes së drejtimit të opozitës kjo është shumë e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket. Mjafton të shikojnë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin, plani është shumë i qartë. Pse u firmos marrëveshja dje? Për çfarë? Si mund të firmosin marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë veç e veç, keni parë ndonjë vend të botës? Është shumë e thjeshtë. Është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe Ilirit dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose për marrë kokën e Lulit. Ka më thjesht se kaq. Është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve. Por këtu problemi nuk është Ilir Meta, problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, nuk ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do ti bëjnë të nesërmen dhe as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshësh. Por nuk mund t’ja kërkojmë se nuk është lideri, është thjesht menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, Ilir Meta dhe Sali Berishën dhe një notere dhe përmbaruese, Monikën.