15.5 C
Tetovo
E diel, 19 Maj, 2024
BallinaLajmeNENAD ÇANAK: JA PSE NË BANJSKË DËSHTOI SKENARI SIPAS YRNEKUT TË VITEVE...

NENAD ÇANAK: JA PSE NË BANJSKË DËSHTOI SKENARI SIPAS YRNEKUT TË VITEVE NËNTËDHJETË!

Ish-politikani nga Novi Sadi, në një shkrim autorial për Klubin e Debatit Politik analizon konfliktin e armatosur në Manastirin e Banjskës në Zveçan, dhe i përgjigjet pyetjes se çka tash?

Shkruan: Nenad ÇANAK

Në Banjskë, u bë një përpjekje për një skenar shumë të ngjashëm me “revolucionin e trungjeve” rreth Kninit, në Kroaci, më 1991. Pra, një grup njerëzish të armatosur pa shenja vijnë në lokalitetet serbe, shkaktojnë frikë, vendosin barrikada dhe shpërndajnë armë. Vendasit, të frikësuar, marrin armët dhe dalin në barrikada, ku tashmë ka pasur të shtëna, dhe nga frika e hakmarrjes, nuk duan të dorëzojnë armët. Beogradi, ndërkohë, ndërmerr lëvizjen diplomatike për revoltën e “popullatës lokale kundër terrorit” dhe këmbëngul “mbrojtjen” e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar nis të “ndërmjetësojë”, dhe në thelb mbron barrikadat e ngritura si disa kufij de facto midis “palëve ndërluftuese”. Fillojnë “negociatat” e pafundme, gjatë të cilave në “territoret e çliruara” formohet pushteti nën komandën direkte  të shërbimeve nga Beogradi (Moska?), e cila përndjek të gjithë jo bashkëmendimtarët nga ajo hapësirë dhe krijon një strukturë politikisht totalisht homogjene, e cila në vitet që pasojnë jeton nga plaçkitjet, krimi dhe donacionet politike nga të gjitha anët, duke kapitalizuar mundësinë e vet që në çdo moment të provokojë konflikte të armatosura. Ky ishte plani.

Problemi lindi për shkak se shumë herët shpërtheu konflikti dhe për shkak se pala kosovare ashiqare kishte informacione inteligjente, kështu që në rrugë të armatosur gjithçka u ndërpre para se të fillonte faza e parë. Tërheqja e njësisë paraushtarake në manastir ishte një lëvizje logjike sepse Kisha Ortodokse Serbe është një infrastrukturë logjistike kudo ku duhet të magazinohen armët dhe të fshihen ikanakët.

Gjithçka ndodh në këtë moment sepse Perëndimi e ka sjellë Beogradin para  ultimatumit të qartë se nuk do të tolerojë më justifikime dhe se pret zgjidhjen efikase të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në përputhje me marrëveshjet e arritura. Meqë ky obstruksion dështoi, Vuçiq paralajmëroi  urgjentisht zgjedhjet për 17 dhjetor 2023 që të mund të fitojë në kohë duke pohuar se nuk mund që gjatë fushatës elektorale të bëjë “lëvizje jopopullore” për elektoratin e tij. 

Radoiçiqi tashmë ka “marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete”, në mënyrë që (në këmbim të mbrojtjes shtetërore) të heqë përgjegjësinë dhe bashkëpjesëmarrjen e BIA-s (Shërbimit Sekret Serb) dhe organizatorëve të tjerë realë të aksionit të dështuar. Pyetja e vetme e vërtetë tani është: A do të kërkojë Prishtina ekstradimin e Radoiçiqit për shkak të akuzës për vrasje (dhe vepra të tjera), dhe a do ta ekstradojë Beogradi atë (që është pak e besueshme).

Sido që të jetë, për një ditë dështoi në mënyrë katastrofale një plan i ndërtuar me kujdes  në mënyrë që në veri të Kosovës të formohet një SAO( Krahinë Autonome Serbe) sipas yrnekut të viteve nëntëdhjetë. Kjo vetëm se e rrit vëmendjen me të cilën duhen ndjekur ngjarjet në vijën e entitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë, sepse Kremlini, në nevojën e tij për të larguar vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga agresioni kundër Ukrainës, duhet të shkaktojë urgjentisht një tjetër zjarr lufte. Fatkeqësisht, Ballkani Perëndimor është vendi më i përshtatshëm për këtë./KDP/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments