16.5 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeMurphy në Shkup: Ndryshoni Kushtetutën, mundësia e vetme për në BE

Murphy në Shkup: Ndryshoni Kushtetutën, mundësia e vetme për në BE

Senatori amerikan, Chris Murphy, tha se Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën, si kusht për përshpejtimin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës së 26 majit në Shkup, pas takimit që pati me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevskit.

Murphy tha se ndryshimi i Kushtetutës ofron perspektivë evropiane për qytetarët maqedonas, njësoj sikur anëtarësimi në NATO që i garantoi sigurinë këtij vendi, pas arritjes së Marrëveshjes me Greqinë në vitin 2018 për ndryshimin e emrit të shtetit.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

“Jam këtu që të sigurohemi se SHBA-ja dërgon mesazhe të fuqishme te partnerët tanë në Qeveri, te deputetët në Kuvend dhe te njerëzit në Maqedoninë e Veriut se ne e mbështesim vendimin tuaj që t’i bashkoheni Bashkimit Evropian. Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni hapin e radhës që të mundësoni zgjerimin. E di se rruga juaj drejt BE-së ishte e gjatë. E di edhe atë se shumë prej jush parashtrojnë pyetjen shumë legjitime, nëse BE-ja paraqet mundësi të vërtetë. Unë jam këtu që t’ju them, po, është një mundësi”.

“Shumë njerëz e parashtronin këtë pyetje edhe sa i përket NATO-s, se Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do të merrte ftesë për anëtarësim në Aleancë. Por, ju ndërmorët hapat e nevojshëm dhe të vështirë që të merrnit ftesën, nënshkruat marrëveshjen historike [me Greqinë] që të merrnit ftesën, dhe sot vendi juaj është anëtar i NATO-s”, deklaroi senatori amerikan.

Ai tha se lufta në Ukrainë e ka “zgjuar Evropën dhe e ka ndërgjegjësuar lidhur me nevojën që t’i lë dyert e hapura për shtetet aspiruese”.

“Ukraina nuk mund të bëhet pjesë e BE-së nëse nuk anëtarësohen edhe vendet e Ballkanit, andaj kemi një mundësi reale për zgjerim dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet ta lëshojë këtë mundësi”, tha Murphy duke folur më tej për pushtimin rus të Ukrainës, që sipas tij paraqet kërcënimin më serioz për demokracitë në botë.

“Tani është momenti që demokracitë në Evropë që të bashkohen dhe t’i sjellin vendimet e vështira që t’i kundërpërgjigjen këtij agresioni. Rusia paraqet kërcënim serioz për demokracitë e brishta të Aleancës, andaj duhet vepruar”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri Kovaçevski tha se Qeveria është e përcaktuar për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja me Bullgarinë, që mundësojnë vazhdimin e procesit të integrimit evropian.

Ai tha se anëtarësimi në BE do t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë ë Veriut që të kenë standard më të lartë se qytetarët e vendeve të Evropës Lindore, të cilat tani janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Vendi ynë e ka origjinën nga ish-Federata Jugosllave. Në atë kohë, ne kishim një standard më të mirë se Sllovakia, Çekia, Rumania, Polonia, Bullgaria dhe të gjitha vendet që u bënë anëtare të BE-së. Unë do t’i marr të gjitha vendimet e nevojshme që do të sigurojnë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe një herë të kenë standard më të lartë se të gjithë qytetarët e vendeve tjera, sepse qytetarët tanë e meritojnë. Në këtë rrugë unë llogaris edhe në mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, para së gjithash të SHBA-së dhe vendeve anëtare të BE-së”, tha ai.

Por, kundër ndryshimeve kushtetuese sërish doli VMRO DPMNE-ja, e cila tha se deputetët e saj nuk do t’i mbështesin këto ndryshime kushtetuese, ngase sipas tyre, “kërkesat bullgare nuk do të ndalen me ndryshimet kushtetuese”, dhe Sofja do të vazhdojë me kërkesat për “zhbërjen e kombit maqedonas apo bullgarizimin e Maqedonisë”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments