9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeBota‘Trupat Paqeruajtës në Kosovë’, parlamenti gjerman,miraton zgjatjen e misionit gjerman në KFOR.

‘Trupat Paqeruajtës në Kosovë’, parlamenti gjerman,miraton zgjatjen e misionit gjerman në KFOR.

Parlamenti gjerman miratoi të premten pasdite (26.05.2023) vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në Trupën Paqeruajtëse të Kosovës, KFOR. Bundestagu dha dritën e gjelbër  për zgjatjen edhe me një vit të pranisë së ushtarëve gjermanë në KFOR.

Kërkesa përkatëse e qeverisë gjermane, e cila para dy javësh u pranua për shqyrtim nga parlamenti,  u miratua me vota nga tri partitë e koalicionit të qendrës së majtë (socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe liberalët) dhe partia e opozitës, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial  (CDU/CSU). Partitë majtiste dhe djathtiste, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë,  votuan kundër. Votimi për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në Kosovë është i hapur dhe me emër. Nga 601 deputetët që dhanë votën,  506 votuan pro, 93 kundër dhe 2 abstenuan, bëri të ditur në fund të votimit, Wolfgang Kubicki, zëvendëspresident i Parlamentit. Parlamenti gjerman n këtë periudhë legjislative ka gjithsej 736 deputetë.

Brand kritikon udheqjen serbe

Shumica e folësve në debatin 40-minutësh theksuan domosdoshmërinë e prezencës gjermane në kuadër të KFOR-it, si faktor stabilizues në rajon. Ata vunë në dukje rëndësinë e perspektivës së Kosovës në BE, por nuk  i kursyen  kritikat edhe në drejtim të udhëheqjes së Serbisë për mungesën e distancimit nga periudha e Miloseviçit dhe afrinë me Rusinë. Kështu për shembull, Michael Brand, nga CDU/CSU, i kujtoi qeverisë gjermane disa, siç i quajti, “të vërteta të pakëndshme” për udhëheqjen e Serbisë, e cila me retorikën nacionaliste dhe politikën provokatore mban të ndezur rrezikun e shpërthimit të një lufte të re në rajon. Ai kritikoi retorikën nacionaliste të qarqeve të afërta me udhëheqjen serbe, mungesën e distancimit të kreut serb nga periudha e Miloseviçit dhe afrinë me Rusinë.

Kritikë ushtroi Brand edhe për afrinë e Beogradit me Moskën, duke kujtuar shprehimisht paktin mes Serbisë dhe Rusisë në shtator 2022 për harmonizimin e politikës së jashtme. Fakti, që ky pakt u bë pas fillimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë është skandaloz, tha Brand. Ai kërkoi nga qeveria gjermane që “të mos e deformojë më realitetin” dhe paralajmëroi: “Ne nuk duhet t’i përsërisim të njëjtat gabime dhe dështime që e ftuan Putinin në luftë, dhe që në vitet 90 e kishin ftuar Milosheviçin në luftërat e tij”.

Hacker bën thirrje për implementim të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Në debat ishte e pranishme edhe ministrja e jashtme, Annalena Baerbock. Folës nga partitë e koalicionit të qendrës së majtë përdorën një gjuhë më të moderuar dhe u munduan të vënë në pah arritjet e bëra gjatë këtij viti në afrimin e Kosovës me BE: Aplikimi i Kosovës për statusin e një vendi kandidat në BE, plani për normalizimin e marrëdhënieve,  dinamika e re në Procesin e Berlinit, të cilit do t’i shtohet edhe një komponent parlamentar.

Kështu për shembull, Thomas Hacker, nga partia liberale, FDP, tha se tani është me interes të madh që të mos ketë përshkallëzim të konfliktit dhe bëri thirrje që të dy vendet të bashkëpunojnë për implementimin e  marrëveshjes aktuale të ofruar nga Brukseli. Nënshkrimi i  kësaj marrëveshjeje do të ishte një “sinjal i fortë për vendet e BE dhe për Evropën e Bashkuar”, tha Hacker.

Deri në 400 ushtarë

Gjermania merr pjesë prej vitit 1999 në trupën paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Mandati parashikon dërgimin e deri në 400 ushtarëve gjermanë. Kontingjenti gjerman i KFOR-it mbetet kështu i njëjti si më parë, por Gjermania e shtoi praninë ushtarake në Ballkanin Perëndimor  qysh vitin e kaluar  me pjesëmarrje në misionin EUFOR /Althea në Bosnjë-Hercegovinë.

Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë është angazhuar që nga viti 1999 në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 1999 Bundestagu Gjerman vendosi për herë të parë pjesëmarrjen gjermane në një mision jashtë vendit. Kjo ishte një risi për ushtrinë gjermane, prandaj edhe pjesëmarrja e Bundeswehr-it në mision duhet të miratohet çdo vit nga Bundestagu, në një votim të hapur dhe emër. Aktualisht numri i ushtarëve gjermanë të stacionuar është rreth 70. Vazhdimi i misionit pritet t’i kushtojë shtetasve gjermanë afro shtatë milionë euro./dw

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments