BallinaLajmeMinistri i drejtësisë Jeton Shasivari kërkoi shkëmbim përvojash dhe ndihmë ekspertësh nga...

Ministri i drejtësisë Jeton Shasivari kërkoi shkëmbim përvojash dhe ndihmë ekspertësh nga SHBA-ja në fushën e legjislacionit penal.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot u takua me Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA-së si partner strategjik në zbatimin e reformave në drejtësi.

Në takim u diskutua për prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë te reformat në sistemin gjyqësor, sundimi i ligjit, digjitalizimi i sistemit të drejtësisë, agjenda legjislative dhe lufta kundër korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe ofrimi i ndihmës së ekspertëve nga SHBA-ja në fushën e legjislacionit penal.

Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se kjo mbështetje ka një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, si dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në qendër të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim u theksua se ka filluar zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të reja të përbashkëta, mbështetjes së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave në fushat me interes të përbashkët.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar fuqishëm për zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane, në interes të qytetarëve dhe të integrimit evropian të shtetit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments