Kujtim Shabani / Bashkimi Demokratik për Gjelbërim

40

https://prointegra.ch/bashkimi-demokratik-per-gjelberim/?fbclid=IwAR3b0xWQfqq0dxNiMYHrk_fZj8FDXqgXbagWyfuRItrc4OrVEw4KIYSl8DI

Me një regji të përkryer Ali Ahmeti e shpalli transformimin e partisë së tij në një parti të gjelbër. Më 5 qershor, në Ditën Botërore të Ambientit. Në vigjilje të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Një sihariq! Një përcaktim i ri politik i një partie tanimë të vjetër, por që nuk sfilitet. Ajo ka qëndruar në pushtet më gjatë se të gjitha partitë e tjeta shqiptare. Marrë së bashku. Mbase edhe më tepër se partitë maqedonase, të cilat alternohen, kurse partia e Ali Ahmetit jo. Ajo po e kuron qenien e saj si yjet e medieve.

Ahmeti u shfaq me xhinse, këmishë të bardhë e mëngë të përvjela dhe pa kravatë. Ndërkohë që prej 20 vjetësh e shohim rreptësisht në kostum dhe kravatë. Vetëm nganjëherë rrallë në tuta, me imazhin e atyre që në Perëndim identifikohen dhe stereotipizohen si „jugo“. Në asnjë moment nuk u pa duke pirë cigare, siç ndodh zakonisht gjatë shfaqjeve të tij publike. Dhe, për kulturë, iu referua ambientalistes së re suedeze, Greta Thunberg, sikur ajo të ishte figura historike e lëvizjeve ambientaliste në botë.

Kapërcimi është tepër i madh. Mbase nuk është e njëjta sikur një fabrikë pushkësh automatike t’i shkrepë të kultivojë trëndafila, po mbase mund të ilustrohet me një fabrikë gërshërësh, e cila shndërrohet në vreshtari. Është atipike. Surealiste. Joparimore. Pas kësaj nuk identifikohet një vullnet për t’i ofruar shërbime të nevojshme komunitetit (të shërbehemi me terminologji qytetare). Diçka e tillë zbulon më tepër një logjikë utilitare, një llogari të ftohtë, një prirje të motivuar nga qëllime që sjellin leverdi praktike.

Një operacion të ngjashëm partia e kreu në zgjedhjet e fundit të përgjithshme kur doli me idenë e kryeministrit shqiptar. Sado e papritur të ishte ajo, sepse partia ishte profilizuar si qytetare dhe as në emërimin e saj nuk kishte asociacione kombëtare, kjo hahej disi. Fundja ajo ka në sfond një kryengritje me kauzë kombëtare dhe thelbi i saj ishin ish-luftëtarët, ilegalët dhe të burgosurit politikë që ishin flijuar për këtë çështje. Tani çfarë kredencialesh ka kjo parti për t’u angazhuar me kompetencë dhe pasion për kauza të ambientalizmit?

Është një operacion Pi-aR-i! Ç’është PR-i? Ai është kur ti fotografohesh nga perspektiva e bretkosës që të dukesh i madh; kur flet me lekë të reja për çmimet, e me lekë të vjetra për rrogat; kur i pret vaksinat një e nga një në aeroport personalisht; kur kamerat kapin sytë e tu të njomë në një vizitë për kryeshëndoshë; kur jep intervista pa ndonjë gazetar prapa kamerave; kur duartrokitjet në një konferencë shtypi janë të regjistruara; kur shfaqesh gjithmonë me fëmijë e me pemë; kur i ndalon fotot duke treguar gishtin e mesëm në mesin e fëmijëve; kur…

Ai s’është palca, por është guaca; ai s’është shkëlqimi, por verbimi; s’është fotografia, por piktura; s’është zëri, por altoparlanti; s’është martesa, por dasma; s’është zemra, por mendja; s’është e vërteta e të gjithëve, por e vërteta jote; s’është caku, por gracka; s’është vepra, por premtimi; s’është siguria, por liria; s’është lideri, por politikani; s’është Linkolni, por Rama; s’është argumenti, por parulla; ai s’është fakti, por është fjala; ai është llafi i pazarit, ai është kandari i tregtarit, ai është marifeti i qarit, është kusuri i zararit…

Pa dyshim Ali Ahmeti e ka zbuluar volinë elektorale të kësaj teknologjie të shumëpërhapur. Ai po ia merr dorën asaj dhe është duke ia parë hairin. Lëvizja e tij nuk është një vizion, a program. Por, ajo ngjit si gjetje elektorale. Ata që e kanë këshilluar për këtë, e kanë bërë punën e tyre si duhet. Të duket si një fillim i ri. E njëmendshme. Ambientalizmi identifikohet si tema e së ardhmes. Ai frymëzon, dhe në Perëndim po u merr terren jo vetëm socialdemokratëve. Dhe kjo është legjitime. Por, në shpalljen e ndërrimit të paradigmës së Ahmetit kishte diçka të ligë!

Ali Ahmeti e paraqiti riorientimin e tij politik si rezultat të ezaurimit të kauzave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Si fundin e historisë sipas Fukujamës, pas përfundimit të ndarjes së bipolare të botës. Si fundin e historisë sipas Marksit, i cili e interpreton atë si histori të luftës së klasave. Apo sipas Hegelit, nga ku e ka marrë Marksi, si luftë të kombeve. Historia e shqiptarëve dhe maqedonasve mbase nuk do të reduktohet në histori luftërash. Sido që të jetë, shqiptarët nuk do ta ngrysin dynjanë në hasmëri me fqinjët, por as të shkelur.

Ahmeti e shkel keq kur e shpall të zgjidhur çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe veten si realizuesin e të drejtave të tyre në këtë vend. Ja që nuk është realizuar ende as ideja e tij, në fakt, aspak jorealiste e zgjidhjes së kërkesave të shqiptarëve nëpërmjet integrimeve euroatlantike, të cilën e ka të fiksuar në Bashkimin Demokratik për Integrim. Ai mund të thotë: “unë kaq këllqe kisha, tani po bëhem Bashkimi Demokratik për Gjelbërim dhe po përqendrohem në Tetovën dhe Osllomenë e mbytur në helm dhe pleh.”

Ai nuk guxon ta monopolizojë as si propagandë çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, edhe sikur vërtet t’i kishte përmbushur premtimet e tij elektorale në raport me shqiptarët. Sepse të drejtat dhe liritë e njerëzve dhe të popujve janë dinamike, ato nuk përsosen kurrë! Sepse janë edhe disa parti të tjera politike shqiptare, të cilat kanë ide të tjera për përparimin e statusit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ja që ka një ide të vjetër sa pluralizmi politik për shmangien e mbivotimit të shqiptarëve në kuvend: parlamenti dydhomësh.

Bashkimi Demokratik për Integrim është konsumuar. Qytetarët janë ngopur me kuadrot e tij dhe kulturën që ka instaluar ai. Por, pushteti shijon më tepër se ç’dhemb lodhja e njerëzve. Kjo e detyron partinë të bëhet kreative. Fundja, robi nuk e hap dot varrin me dorën e vet. Atëherë, jepi usta! Ja edhe një referencë nga ambientalizmi, që të mos ngelësh vetëm me Greta Thunbergun: Rachel Carson, autorja e librit të shenjtë të ambientalistëve “Pranvera memece“, ndër më të shquarit e shekullit të kaluar. Vetëm: ajo parti që blen qoftë edhe një votë të vetme, nuk e meriton t’i afrohet qeverisjes!