5.2 C
Tetovo
E enjte, 18 Prill, 2024
BallinaOpinionKim Mehmeti / Pse shqiptarët e Maqedonisë duken më pak seç janë?

Kim Mehmeti / Pse shqiptarët e Maqedonisë duken më pak seç janë?

Më në fund u publikuan rezultatet e regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë. Dhe siç pritej, të gjithë janë mosbesues ndaj përqindjeve të shpallura zyrtarisht, kështu që, shqiptarët besojnë se janë dyfish më shumë seç thuhet, ndërkaq maqedonasit janë të bindur se për nga numri, janë sa kinezët dhe se, në Maqedoni, jetojnë më shumë priftërinj ortodoks, se sa shqiptarë.

Por ku ta dish, ndoshta ka ardhur koha kur shqiptarët e këtushëm nuk duhet të merren vetëm me atë se sa janë, por do duhej të përballeshin edhe me të vërtetën se si janë. Pra mirë do bënin nëse do i shpjegonin vetes pse ndjehen inferior nda palës maqedonase dhe pse duken e veprojnë sikur të ishin më pak seç janë?

Mbase ata ndjehen më të pakët seç janë shkaku se në shoqërinë e këtushme shqiptare u shtua numri i profesorëve të rrejshëm, i doktorëve të rrejshëm të shkencave, i hoxhallarëve të rrejshëm, i patriotëve të rrejshëm, i politikanëve hajdutë të ndershëm…, me çka këtë shoqëri e mbuluan plehrat helmues të vlerave të rrejshme, plehra që ua djegin rrënjët luleve sapo ato të kenë mbirë.

Me çka pra del se shumica e shqiptarëve të këtushëm marrin diploma për ta mbuluar mosdijen dhe punësohen në administratën shtetërore që të mbeten askush. Pra e plotësojnë kushtin e rëndësishëm të qarqeve antishqiptare, që thotë: nëse donë t’i shkatërrosh shqiptarët, atëherë atyre duhet t’u japësh diploma, por jo edhe dije.

Duke qenë në shumicë të paditurit e diplomuar, ata edhe u bënë BDI-stë, ASH-istë, Alternivistë…, pra partiak të fortë, por mbetën shqiptarë të dobët, shqiptarë të cilët më shumë u përkulen leckave partiake, se sa flamurit kuq e zi.

Për shqiptarët e Maqedonisë thuhet se janë fetarë të devotshëm dhe se e kanë frikë Zotin, gjë që për shumëçka nuk është gjithaq e saktë. Sikur ata të kishin frikë Zot e të nderonin njeri, nuk do lejonin që shumë nga vendbanimet e tyre të kenë xhami një milion euroshe, por jo edhe ambulancë e bibliotekë. Me çka kanë faltore ku t’i luten Zotit, po nuk kanë si t’i plotësojnë dy kushtet e rëndësishme të fesë islame: të mos rritësh fëmijë aty ku nuk ka mjek dhe ku s’ke çka të lexosh!

Pra sikur shumica e shqiptarëve të këtushëm të ishin aq fetarë saç duan të tregohen, ata nuk do i shndërronin lumenjtë në deponi mbeturinash, nuk do e ngushtonin udhën e madhe, për ta zgjeruar oborrin e vet, pra nuk do mendonin se atë që ta ka dhënë Zotit, nuk duhet ta mbrosh dhe se atë mund ta vjedhë çdokush.

Por, siç duket, shumë shqiptarë të këtushëm shkojnë në xhami vetëm sa për ta mbuluar sa nuk e njohin fenë që praktikojnë, sa nuk e kanë frikë Zotin e nuk e nderojnë njeriun, e me çka e plotësojnë edhe kushtin e dytë të qarqeve antishqiptare: shqiptarët lëri të jetojnë nëpër ‘mëkatore’, e të falen nëpër faltore!

Po pra, rezultatet e fundit, të dala nga regjistrimi i popullsisë, thonë se me banim të përhershëm në Maqedoni ka rreth njëzet e pesë për qind shqiptarë. Që i bie të jenë përafërsisht aq sa edhe votuesit e partive politike shqiptare. Pra aq sa i janë nënshtruar kryetarit të përjetshëm të BDI-së, i cili vendosë cili do jetë dekan e profesor universiteti, cili mësues fshati, cili hoxhë katundi dhe cili do jetë artistë i popullit. Gjë që me të drejtë i çon shqiptarët e këtushëm të dyshojnë se ndoshta vetëm një vasal i përmasave të tij mundet palës maqedonase t’ia plotësojë dëshirën – që shqiptarët e këtushëm të mos jenë aq sa janë, por aq sa i duhen Maqedonisë që ajo të mbetet ‘vetëm’ e maqedonasve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments