Norvegjia ka vendosur t’u shpërndajë dhjetëra mijëra doza “AstraZeneca” shteteve fqinje nordike, pasi vetë ka dyshime mbi efektet anësore të vaksinës.
Instituti norvegjez i Shëndetit Publik analizoi rastet e vaksinës angleze me komplikacione të rënda si mpiksja e gjakut apo hemorragji, dhe vlerësoi se qytetarët rrezikojnë më shumë të vdesin prej vaksinës sesa prej koronavirusit.
Norvegjia ka raportuar 5 raste serioze të personave të vaksinuar me “AstraZeneca”-n, të gjithë të moshave 32 deri 54 vjeç.
Tre prej tyre kanë vdekur dhe Instituti llogarit që vdekshmëria prej vaksinës shkon deri në 2 persona për çdo 100 mijë të vaksinuar.
“Ne besojmë se imunizimi me këtë lloj vaksine do të ishte joetik dhe do i ekspozonte personat përpara një rreziku të lartë të cilin ata nuk e kuptojnë. Kjo do të ulte edhe besueshmërinë dhe normën e vaksinimeve afatgjatë, që do i shtynte pacientët në grupet e rrezikuara t’i thoshin jo gjithë vaksinave të tjera,” theksoi drejtuesja e Institutit norvegjez të Shëndetit.
Norvegjia pritet më 10 maj të marrë një vendim final për përdorimin apo jo të vaksinës “AstraZeneca”.
Nga dozat e mbetura pa përdorur, Suedia do të marrë 200 mijë dhe 16 mijë doza do i shkojnë Islandës.
Sipas autoriteteve suedeze dobitë e vaksinës janë më të larta sesa efektet e saj anësore, veçanërisht te personat mbi 65 vjeç.