Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin „Nën Thjerrë“ në TV Alfa, duke folur për gjyqësorin, theksoi se, përveç shumicës dërrmuese të njerëzve të ndershëm, në sistemin e drejtësisë ekziston edhe një pakicë që u shërben interesave të LSDM-së dhe BDI-së.„Ta sqarojmë, shumica dërrmuese janë njerëz të ndershëm që e bëjnë punën e tyre dhe janë mbrojtës të sundimit të ligjit, të ligjeve etj. Ekziston një grup i vogël që e kontaminon këtë shumicë të madhe. Pra, kemi, do të thoja, një pakicë që u shërben interesave të tyre, e cila ka fituar mundësi falë atyre të mëparshmive dhe tani ua kthen“, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se problemi qëndron në tre „implante“, përkatësisht në rizgjedhjen e përgjithshme në Kuvend që u bë në vitet ’90, kur VMRO-DPMNE-ja ishte opozitë jashtëparlamentare, në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) dhe në ndryshimet në Kodin Penal që qeveria e mëparshme i miratoi për t’i siguruar vetes amnisti.
„Problemi në thelb qëndron në tre implante. Imlanti i parë daton që në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur VMRO-DPMNE-ja ishte opozitë jashtëparlamentare dhe kur u bë ajo rizgjedhja e përgjithshme në Kuvend. Ky është problemi i parë dhe thelbësor dhe që atëherë, praktikisht, hap pas hapi filloi të rrënohej drejtësia dhe besimi në gjyqësorin në Maqedoni.
I dyti është kur u krijua dhe u formësua implanti politik PSP, për të cilin edhe ne si parti kemi përgjegjësinë tonë, por në atë moment nuk kishte mundësi tjetër për t’i detyruar të shkonin në zgjedhje, të cilat, meqë ra fjala, i shmangën dhe i shtynë dy-tri herë, pastaj përsëri humbën, por për shkak të atij inxhinieringu iu dha mundësia të bëheshin qeveri, ashtu siç iu dha.
Pra, ky është implanti i dytë, i cili përfundoi i paketuar në një valixhe me ato bonuset që ju i përmendni etj., mos vazhdoj edhe më tej. Ende nuk mund të zbulojmë se si u transferuan kompetencat te këta njerëz nga Janeva, e cila në atë kohë ishte e burgosur.
Dhe i treti, sipas meje, goditja përfundimtare ndaj gjyqësorit është kur, me flamur evropian, qeveria e mëparshme miratoi ndryshime në Kodin Penal, duke i fshirë praktikisht të gjitha ato nene me të cilat u mundësua amnistia politike e një sërë njerëzish, kryesisht për veten e tyre, natyrisht.
Ata në atë kohë kishin një tjetër ide. Kishte një proces politik në Kuvend dhe ata mendonin se, nëse siguronin amnisti politike për disa ish-politikanë, ata përsëri, sipas parimit të Marrëveshjes së Prespës, do t’u siguronin deputetë. Kjo ishte në sfondin e të gjithë atij procesi dhe natyrisht, amnistia e vetvetes nën petkun e flamurit evropian.
Kjo është goditja përfundimtare që i është dhënë gjyqësorit dhe besimit në vetë gjyqësorin“, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se kjo Qeveri, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, punon për një Kod të ri Penal dhe një Ligj të ri për Procedurën Penale, me qëllim që qytetarët të fillojnë ta rikthejnë besimin te organet e drejtësisë.
„Ne po punojmë për një Kod të ri Penal dhe një Ligj të ri për Procedurën Penale, ligje kyçe në këto procese. Përsëri VMRO-ja do të duhet t’i miratojë këto ligje, sepse janë pjesë e Agjendës së Reformave, por gjithashtu shpresojmë që deri në fund të vitit ta përmbyllim këtë proces dhe mbi bazën e tij, ta rikthejmë, në një masë të caktuar, besimin.
Pra, përsëri ky koalicion qeveritar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja hyn në një proces të tillë, në të cilin duhet të bëjmë një hap në mënyrë që qytetarët ta rikthejnë sërish besimin te organet e drejtësisë. Nëse do t’ia dalim, nuk e di, por ne do ta çojmë këtë proces deri në fund.
Ajo që ne, si Qeveri, synojmë të përfshihet në hartimin e këtyre ligjeve janë standardet evropiane. Mbi bazën e këtyre standardeve evropiane ne duhet të miratojmë ligje të tilla dhe mendoj se deri në fund të vitit do t’ia dalim.“
Mickoski theksoi se kjo, megjithatë, nuk do t’i përfshijë funksionarët dhe veprat që janë kryer gjatë qeverisjes së kaluar, pasi ata gjithmonë do t’i referohen ligjit që vetë e miratuan për amnisti politike.
„Por, po e përsëris. Kjo nuk do t’i përfshijë ata. Nuk do t’i përfshijë veprat që ata kanë kryer etj. Ata gjithmonë do t’i referohen ligjit që vetë e miratuan për amnisti politike me ndryshimet në Kodin Penal. Ajo që ne po miratojmë vlen në rast se tani e tutje dikush shkel ligjin“, tha Mickoski.
