Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe në një intervistë për Dojçe Vele ka thënë se është duke u menduar për zbutjen graduale të masave restriktive, por nuk dihet se kur saktë do të ndodh kjo. Sipas tij, nga java e ardhshme do të bëhen analizat kur Komisioni për sëmundje ngjitëse do të grumbulloj numrat e të infektuarve të rinj dhe do t’i sheh efektet e dy javëve të mëparshme kur kishim karantinë.
“Në rrugë të mirë jemi që në fillim të majit të zbuten masat restriktive. Ndalesat do të shfuqizohen dalëngadalë, do të shkurtohet ora policore, nuk është e vendosur nëse do të vlej edhe për vikend,. Por duhet pasur parasysh se jeta nuk do të kthehet në normalitet me dinamikën e njejtë edhe përkundër lehtësimit të masave”, ka thënë Filipçe.
Ai tha se së pari do të lehtësohen masat tek operatorët ekonomik , fabrikat, restorantet, makinat e transportit publik, por kushti i parë dhe i rëndësishëm do të jetë respektimi i distancës fizike në procesin e normalizimit të jetës.
“Kjo është e nevojshme që të mos ballafaqohemi me një pikë të shpejtë, që nuk është e përjashtuar të ndodhë nëse nuk respektohen masat e distancimit fizik në procesin e normalizimit të jetës”, tha Filipçe.
I pyetur nëse qytetarëve do të rekomandoj që këtë vit të mos planifikojnë pushim vjetor, Filipçe tha: Shumë herët është të thuhet!.