Biden i kërkon Kongresit mbi 37 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

25

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit që të sigurojë më shumë se 37 miliardë dollarë ndihmë urgjente për Ukrainën.

Kjo do të jetë një tjetër ndihmë e madhe për ukrainasit, derisa forcat ruse po pësojnë humbje në fushëbetejë, në luftën e cila ha hyrë në muajin e nëntë.

Fondet u kërkuan zyrtarisht nga administrata më 15 nëntor.

Mesi i dhjetorit është data kur Kongresi amerikan ndanë buxhetin për vitin pasues, dhe nëse kërkesa për ndihmë aprovohet, ajo do të jetë pjesë e paketës për mbështetjen e Qeverisë ukrainase deri në shtatorin e vitit 2023.

Në fillim të nëntorit, SHBA-ja tha se do të dërgojë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake në vlerë prej 400 milionë dollarësh.

Pothuasje dyfishi i kësaj shume, 725 milionë dollarë, ishte ndihma që ju dha Ukrainës nga SHBA-ja në fillim të tetorit.

Në po këtë muaj, NATO njoftoi se do të dërgojë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe ndihmë tjetër ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që Kievi të mbrohet nga sulmet ajrore ruse që po godasin të gjithë vendin.

Rusia ka nisur një valë të re të sulmeve ajrore, duke goditur disa rajone ukrainase, duke bombarduar qytete, përfshirë edhe Kievin./rel./