BallinaOpinionBesjan Rexhepi nga UEJL / Mirëmëngjes, ministër i sapozgjedhur, Prof. Dr. Jeton...

Besjan Rexhepi nga UEJL / Mirëmëngjes, ministër i sapozgjedhur, Prof. Dr. Jeton Shasivari.

Emërimi juaj nuk është arsye për entuziazëm. Për studentët, çdo ministër vlerësohet vetëm nga veprat, jo nga titujt, emri apo përkatësia etnike.

Para jush ishte ministri Igor Filkov, tash më i pensionuar,

Gjatë mandatit të tij, studentët protestuan para Ministrisë së Drejtësisë, kërkuan dialog, argumentuan me ligj dhe kërkuan vetëm një të drejtë elementare: mundësinë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, gjuhë të cilën e studiojmë, Përgjigjja ishte e qartë heshtja dhe injorimi, kjo heshtje u shndërrua në simbol të dështimit institucional.

Mandati i z.Filkov do të mbahet mend si një mandat i premtimeve të pambajtura dhe i mungesës së vullnetit për të korrigjuar një padrejtësi që prek drejtpërdrejt studentët dhe besimin e tyre te institucionet, si dhe ndarje ndëretnike.

Sot sfida kalon te ju.

Mos prisni që studentët të japin besim paraprak. Besimi fitohet me vendime, jo me deklarata. Nuk mjafton të jeni ministri i radhës, duhet të dëshmoni se jeni ministri që ka guximin të zgjidhë atë që të tjerët e lanë pezull.

Si Kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, e them qartë studentët nuk kërkojnë privilegje, ne kërkojmë barazi para ligjit, respekt për meritën dhe një sistem që nuk diskriminon mbi bazën e gjuhës.

Ligjin tashmë e keni në dorë. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ekziston, kushtet ligjore ekzistojnë, prandaj nuk presim interpretime të reja dhe as arsyetime, presim vetëm zbatim.

Ligjet nuk miratohen për të qëndruar në letër, por për t’u zbatuar në praktikë.

Studentët nuk janë problem për shtetin, ata janë potenciali dhe merita më e madhe e tij. Çdo sukses i këtij vendi fillon nga bankat universitare. Pikërisht studentët janë ata që nesër do të jenë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë dhe bartës të institucioneve.

Bashkëjetesa nuk ndërtohet me slogane politike, por me drejtësi dhe barazi reale. Ajo forcohet kur secili qytetar, pavarësisht gjuhës që flet, gëzon të njëjtat të drejta dhe trajtohet me të njëjtin dinjitet nga institucionet. Vetëm kështu ndërtohet besimi ndërmjet komuniteteve dhe një shtet që respekton karakterin e tij multietnik.

Ky është testi juaj i parë dhe një nga më të rëndësishmit.

Nëse e zgjidhni këtë padrejtësi, do të mbaheni mend si ministri që vendosi drejtësinë mbi kalkulimet politike. Nëse jo, do të jeni vetëm një tjetër emër në listën e ministrave që përfundojnë tashmë si parapraku juaj!

Studentët nuk do të ndalen. Historia ka dëshmuar se ndryshimet më të mëdha kanë nisur pikërisht nga zëri i tyre.

Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtën, meritën dhe dinjitetin studentor, derisa ky problem të marrë fund.

Personalisht, ndaj vlera që besoj në dialog, progres dhe hapërim përpara, vetëm kështu vendi do të ecë në rrugën e duhur, rugën Evropjane- gjithçka tjetër perfundon në dështim dhe humbje të motivit për një jetë më të mirë në vend.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments