Amerika ngutet ta zgjidh nyjën e Kosovës, sepse zvarritja e këtij problemi mund ta zhvendos në duart e Rusisë, e cila do të ketë ndikim shumë më të madh në Komisionin Europian pas zgjedhjeve të ardhshme për këtë organ, shkruan sot “Blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.
Prandaj, njerëzit e Trumpit po bëjnë trysni ndaj shqiptarëve që sa më parë të vazhdojnë dialogun me Beogradin. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i ka thënë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të shfrytëzojë rastin për arritjen e marrëveshjes historike gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Cilat janë arsyet amerikane?
Bashkimi Europian thuaja heshtas po ndjek çfarë me muaj po ndodhë në relacionin Beograd-Prishtinë. Siç shprehet “Blici”, edhe kur shqiptarët u shfaqën me provokimin më të keq, BE u dërgoi këshilla të dy palëve që të jenë të matura. Nga ndëshkimet dhe kokalla që do të duhej të ishin të pritshme në këso situatash, dhe që në të kundërtën pushteti në Serbi nuk do të kursehej, nuk ndodhi gjë. Brukseli në këtë mp[mënyrë, ndoshta me pavetëdije, ua la të mëdhenjve dhe atyre më me ndikim. Uashingtoni e pa rastin. Nëse i bën presion Prishtinës dhe deri në pranverë të vitit 2019 ia del që të arrihet marrëveshja, do të merrte meritat.
Prandaj shkuarja e papritur e Thaçit në Shtetet e Bashkuara dhe bisedimet me njerëzit nga administrata e Trumpit. Por shtrohet pyetja sa mund të kryej punë, meqë mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, raportet nuk janë aq të mira dhe kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me marrëveshjen e mundshme.
Nëse, nga ana tjetër, nuk arrihet marrëveshja deri në pranverën e vitit 2019, siç është planifikuar, në institucionet europiane do të ndryshojnë rrethanat, dhe atëherë me siguri e gjithë puna nuk do të mund të kryhet as deri më 2025. Sepse, pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, do të ndryshojë përbërja edhe e Komisionit Europian. Këtë e ka përmendur edhe ish i deleguari i BE-së për Kosovën, Volfang Petritsch, KE-ja do të jetë në gjendje të veprojë deri në prill… rikujton “Blici” i Beogradit.
Po sipas kësaj gazete, Rusisë nuk po ngutet. Shërbimi sekret gjerman ka zbuluar kontakte mes njerëzve të Putinit dhe përfaqësuesve të pushtetit në Prishtinë. Për këto raporte risht të ndërtuara po interesohen edhe njerëzit e Trumpit, Emanuel Macronit, Angela Merkelit…, transmeton Koha.net.
Në një nga këto takime, në pyetjen se “a mos ka në horizont një afri mes Moskës e Prishtinës”, përfaqësuesi i njërës nga ambasadat është përgjigjur se Rusia po bën gjithë çfarë po mundet që të pengojë arritjen e marrëveshjes mes serbëve e shqiptarëve, meqë druan për pozicionin e vet në këtë pjesë të Europës.
“Nëse serbët e shqiptarët merren vesh, rusët druajnë se nuk do të jenë më të rëndësishëm për askënd dhe se do të humbasin gjithë ndikimin që kanë në Ballkan”, thirret “Blic” në burimet e tij.