Edhe pse besojmë se gënjeshtrat nuk meritojnë përgjigje, për të qenë korrektë përpara opinionit dhe qytetarëve të Tetovës, po japim sqarimin dhe reagimin si vijon:
Albi Qamili, nënkryetari ilegal i Komunës së Tetovës, mbrëmë në një dalje televizive, duke dashur të amnistojë veten dhe udhëheqësinë aktuale nga përgjegjësia për vjedhjen masive që po i bëhet pronës publike në Tetovë nga Bilall Kasami, gënjeu opinionin dhe qytetarët e Tetovës.
E vërteta është krejt ndryshe.
BDI, gjatë kohës kur ka udhëhequr Komunën e Tetovës, nuk ka shitur asnjë pronë publike.
Pra, në të gjitha rastet që i përmend nënkryetari ilegal, bëhet fjalë për shitje të pronës së një operatori ekonomik te një operator tjetër apo investitor. Që do të thotë se logjika është e thjeshtë: as BDI-ja, as Komuna në atë kohë, nuk kanë mundur të shesin pronë që nuk ka qenë në pronësi të Komunës.
Për ta kuptuar më mirë Albi dhe udhëheqësia aktuale të vërtetën që u dhemb, si dhe për ta kuptuar qytetarët se me çfarë gënjeshtrash po shërbehet pushteti lokal për t’u amnistuar nga vjedhja e pronës publike që po e bën në Tetovë, po japim një ilustrim të thjeshtë:
Bilall Filani ia shet banesën e tij Adnan Fistekut, dhe për këtë shitje apo blerje palët merren vesh mes vete për çmimin dhe kushtet e tjera në një kontratë shitblerjeje. Pas shitblerjes, banesa e Bilall Filanit bëhet pronë e Adnan Fistekut, kurse Komuna, në bazë të ligjit, arkëton 3% tatim nga vlera e shitblerjes.
Pra, në këtë rast bëhet fjalë për shitje të pronës së një operatori ekonomik te një operator tjetër apo investitor. Që do të thotë se as BDI-ja, as Komuna në atë kohë, nuk kanë mundur të shesin pronë që nuk ka qenë në pronësi të Komunës.
Kurse ajo që po e bën pushteti lokal në Tetovë tash e disa vite, dhe që tenton ta bëjë edhe tani, është si vijon:
Bilall Filani nxjerr në shitje pronën e qytetarëve të Tetovës dhe, përmes skemave të organizuara kriminale, e bën të mundur që Adnan Fisteku ta blejë pronën e tetovarëve për vetëm 1 euro, edhe pse ajo kushton me qindra herë më shumë. Si pasojë, Komuna arkëton vetëm 1 euro, kurse pjesa tjetër e parave shkon si peshqesh nga Adnani te Bilalli, ndërsa arka e Komunës mbetet bosh dhe qytetarët mbeten të vjedhur.
Albi Qamili është djalë i ri dhe mbase me perspektivë në politikë.
Me dashamirësi i sugjerojmë të mos bëhet pre e propagandës së porositur nga kumbari i shitjes së pronës publike në Tetovë, Adnan Azizit, si dhe nga ekzekutori i këtij krimi, Bilall Kasami.
