3.2 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaOpinionBardhyl Mahmuti -Gazeta Dielli/ VETËM NDËSHKIMI I SERBISË PËR GJENOCID MUND TË...

Bardhyl Mahmuti -Gazeta Dielli/ VETËM NDËSHKIMI I SERBISË PËR GJENOCID MUND TË MBYLLË PLAGËT E HAPURA NË KOSOVË

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish- Përfaqësues politik i UÇK-së, ish- Shef i Grupit diplomatik të UÇK-së, dhe ish- Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Genocidi serb në Kosovë shënon mbi 10 mijë civilë të vrarë shqiptarë, në mesin e të cilëve janë 1392 fëmijë dhe 1739 gra; ende nuk dimë asgjë për fatin e më shumë se 1600 civilëve shqiptarë që u morën nga forcat serbe gjatë tërheqjes nga Kosova dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara seksualisht paraqesin një plagë të madhe që kullon gjak, lot dhe dhimbje. Vetëm drejtësia mund të ndihmojë të mbyllet kjo plagë e hapur.Me Prof. Bardhyl Mahmutin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.INTERVISTA: PJESA E DYTËSokol Paja: Megjithëse nuk patët rezultatet e dëshiruara në përpjekjet për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos votojnë ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të asaj që quhet në gjuhën e përditshme Gjykatë Speciale, ju vazhduat me kërkesa publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Më 12 prill 2019 ju kërkuat nga deputetët të miratojnë një rezolutë për gjenocidin që shteti serb kishte kryer gjatë luftës në Kosovë. Madje ju e përpiluat edhe tekstin e projektrezolutës. Bardhyl Mahmuti: E shoh të arsyeshme që të përmend faktin se disa herë është bërë përpjekje që miratohet një rezolutë lidhur me krimet që ka kryer shteti serb në Kosovë. Iniciativa e fundit në këtë drejtim u bë nga PDK-ja, por fatkeqësisht, për shkak të përçarjeve të mëdha të spektrit politik, institucionet shtetërore të Kosovës nuk mundën të sillnin asnjë vendim nëpërmjet të cilit do të emërtonin krimet e kryera gjatë luftës. Duke qenë i bindur për domosdoshmërinë e përkufizimit të gjërave në mënyrë institucionale, përpilova një projektrezolutë lidhur me gjenocidin e kryer në Kosovë dhe ua dërgova deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Fillimisht iniciativën e mbështeti publikisht deputeti i atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, z. Bilall Sherifi, dhe ai e shtroi për diskutim në Kuvend. Kuvendi e krijoi komision parlamentar për këtë çështje dhe pas disa javësh punë për të harmonizuar pikëpamjet ndërpartiake, më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet të cilës zyrtarisht emërtohej si “GJENOCID” ajo që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë.Sokol Paja: Përveç emërtimit të asaj që kishte ndodhur si “gjenocid”, çka do të veçonit nga kjo rezolutë?Bardhyl Mahmuti: Rezoluta duhet të shihet si tërësi, por nëse do të më duhej të veçoja ndonjë element nga kjo rezolutë atëherë do të theksoja dy gjëra: E para, Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet politike dhe shkencore të Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për ndriçimin e tërësishëm të gjenocidit në Kosovë dhe të sigurojë përkrahjen politike për njohjen e faktit që shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit. E veçova këtë aspekt të rezolutës për arsye se në përputhje me këtë orientim strategjik, më 30 qershor 2019 krijuam Qendrën “GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR” që ka për synim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë. E dyta, nëpërmjet kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës vendosi që 15 janari të shpallet Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, për shkak se akti gjenocidar i kryer nga forcat serbe në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, gjatë të cilit u masakruan mbi 40 civilë shqiptarë, mobilizoi komunitetin ndërkombëtar si asnjëherë më parë për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë.Sokol Paja: Logoja e qendrës suaj është lulëkuqja me katër petale. Edhe pse e keni sqaruar edhe herë të tjera, dëshiroj për lexuesit e Gazetës “Dielli” t’i kthehemi domethënies së logos, sepse lulëkuqja përdoret si simbol edhe nga popuj të tjerë. Bardhyl Mahmuti: E kam përmendur disa herë se në disa vende të botës lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i përkujtuar të rënët gjatë luftërave të ndryshme. Të marrim shembull Britaninë e Madhe dhe vendet e Komonvelthit. Në këto lulëkuqet janë simbol i përkujtimit të luftëtarëve të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe solidarizimit me familjet e tyre. Ndërkaq me këtë lule kanadezët përkujtojnë ata të cilët u sakrifikuan për lirinë e vendit. (Përkujtimi i të rënëve në Kanada bëhet çdo vit në orën 11.00, në ditën e 11 të muajit të 11). Në dallim nga lulëkuqet që përdoren në vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon tonë paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të thekëve të zinj të lulëkuqes, në logo janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të përfshirë të gjithë shqiptarët, që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë. Në këtë kontekst e shoh të udhës të informoj lexuesit e gazetës suaj se logon e ka përgatitur veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, që vjen nga Lugina e Preshevës, Adnan Asllani. Për ata që nuk e dinë, Adnan Asllani është autori i emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeredaktori i “Zërit të Kosovës” gjatë luftës në Kosovë.Sokol Paja: Me sa kam lexuar, në rrafshin organizativ qëllimet e qendrës suaj janë të shtrihen në të gjitha vendet demokratike ku ka shqiptarë. Sa keni arritur të realizoni këtë qëllim?Bardhyl Mahmuti: Përkundër interesimit të madh të bashkatdhetarëve tanë në disa shtete të Europës Perëndimore për të themeluar qendrat e “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, realiteti i krijuar nga pandemia na pamundësoi realizimin e qëllimit të tillë, sepse kemi qenë plotësisht të vetëdijshëm se tubimet e kësaj natyre bartnin me vete rreziqe të mëdha për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Presim që të përfundojë vaksinimi i popullsisë dhe kur të krijohen kushtet që nuk rrezikojnë asnjë njeri ne do të vazhdojmë me veprimtarinë tonë ashtu siç e kemi pasur të planifikuar.Sokol Paja: Megjithatë nuk keni ndenjur duarkryq gjatë kësaj kohe. A mund të na thoni se çka keni punuar si qendër?Bardhyl Mahmuti: Gjatë periudhës dyvjeçare kemi botuar një doracak të titulluar “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, që ka për qëllim të ndihmojë në harmonizimin dhe përdorimin e sakte të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanet dhe gazetaret, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo te duhur. Autor i këtij doracaku jam unë. Pastaj, më 15 janar të vitit 2020, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë kemi botuar një përmbledhje poezish që lidhen me temën e gjenocidit nga shkrimtarë të mëdhenj shqiptar si Xhevahir Spahiu, Agim Vinca, Ismail Syla, Bedri Islami, Ali Podrimja, Adem Gashi, Teki Dervishi, Mustafë Xhemajli, Shqipe Bytyqi, Miradije Maliqi dhe shumë poet të njohur. Ndërkaq, më 15 janar të vitit 2021 u botua romani im i titulluar “Eskadronët e vdekjes”, që pasqyron tragjedinë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit.Sokol Paja: Ndërkohë Qeveria e re e Kosovës e Albin Kurtit, e dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit, përcaktoi si pjesë të programit të vet përgatitjen e padisë kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit. Cili ishte qëndrimi i qendrës suaj?Bardhyl Mahmuti: Nëpërmjet një deklarate të datës 8 Maj, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe u zotua publikisht se do të angazhohet për të dhënë kontributin e vet maksimal në përputhje me mundësitë e veta që padia për gjenocid të përgatitet sa më mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë.Për këtë qëllim, së bashku me zëvendës kryetarin e qendrës, Adnan Asllanin u takuam me kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, me ministren e Drejtësisë, zonjën Haxhiu dhe me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, zonjën Bogujevci.Sokol Paja: Një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të partive politike opozitare në Kosovë dhe analistësh politik të Kosovës janë shprehur skeptik rreth mundësisë që kjo padi të realizohet me sukses. Në kuadër të debateve rreth kësaj teme, shumë shpesh janë përmendur dështimet e Bosnjës dhe Kroacisë, paditë e të cilave kundër Serbisë u hodhën poshtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sa janë gjasat që padi kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë të realizohet me sukses? Bardhyl Mahmuti: Krahasimi që bëhet me dështimin e Bosnjës dhe Kroacisë kundër Serbisë është i paqëndrueshëm. Serbët lokal në Bosnjë dhe në Kroaci të organizuar në republikat e vetëshpallura (Republika Serbska në Bosnjë, Kraina, Sllavonia Lindore dhe Sllavonia Perëndimore në Kroaci) kanë pasur struktura që shkonin nga presidenti i republikës, kryeministri dhe ministrat e tjerë të qeverive përkatës, komandë ushtarake dhe policore e kështu me radhë. Përkundër asaj se botërisht ka qenë e ditur se këto struktura dirigjoheshin nga Beogradi, Kroacia dhe Bosnja nuk kanë mundur të ofrojnë dëshmi të mjaftueshme se Serbia ka kryer gjenocid në këto dy shtete. Sidoqoftë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e fajëson Serbinë për mos parandalimin e kryerjes së gjenocidit. Në Kosovë gjërat janë të qarta: Serbia si shtet ka kontrolluar tërësinë e forcave të armatosur gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë dhe për këtë arsye ndodhi ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Padia kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë ka gjasa të mëdha të realizohet me sukses, nëse krahas përgatitjes së dosjes bëhet edhe puna në informimin e drejtë të opinionit publik ndërkombëtar për realitetin tragjik që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës.Sokol Paja: Shpesh flitet se Kosova nuk ka të drejtë të bëjë padi, meqenëse nuk është anëtare e OKB-së. Sa mund të jetë pengesë një çështje e tillë?Bardhyl Mahmuti: Në këto rrethana prioritet është përgatitja profesionale e dosjeve që dëshmojnë për gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe informimi sa më i gjerë i qarqeve intelektual, politike dhe diplomatike në botë lidhur me gjenocidin që ka përjetuar populli ynë. Kur të bëhen të gjitha punët si duhet, ngritja e padisë mbetet një çështje teknike. Të mos harrojmë se krimi i gjenocidit është krim që godet mbarë njerëzimin, prandaj padinë mund ta bëjë çdo shtet. Sokol Paja: Është përmendur shpesh mundësia që një padi të tillë ta bëjë Shqipëria. Si mendoni ju? Bardhyl Mahmuti: Po e përsëris: nga momenti kur një shtet është i bindur se ndaj një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar janë zbatuar veprime që kanë pasur për qëllim që ta shkatërrojnë tërësisht apo pjesërisht grupin si të tillë, atëherë ai mund të padisë shtetin që ka kryer gjenocid. Këtë mund ta bëjë Shqipëria, jo vetëm pse ka ndodhur ndaj shqiptarëve të Kosovës, por është njëfarë obligimi për të gjitha shtetet që kanë miratuar Konventën ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit që të ndërmarrin një hap të tillë për të shmangur logjikën e mosndëshkimit të krimit. Mirëpo, tani për tani, angazhimet duhet të orientohen në prioritetet e lartpërmendur.Sokol Paja: Para disa ditësh i dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer u deklarua lidhur me padinë kundër Serbisë. Si e shihni deklaratën e tij që theksoi rëndësinë e dialogut dhe domosdoshmërinë që palët të fokusohen më shumë në të ardhmen, e jo në të kaluarën?Bardhyl Mahmuti: Ajo që m’u duk e rëndësishme në deklaratën e z. Palmer ka të bëjë me pohimin se “Nëse Kosova dëshiron të shkojë në gjykatë, kjo është e drejta e saj sovrane” dhe, se në këtë rast, “Kosova duhet të ketë argumente para se të padisë Serbinë për gjenocid”. Zoti Palmer ka plotësisht të drejtë: padia duhet të përgatitet profesionalisht me fakte të pakontestueshme ku nuk do të lihej asnjë verigë ku mund të varej dyshimi për vërtetësinë e provave. Çështja e dialogut është çështje me rëndësi, sepse përcakton rrjedhat e të ardhmes së kësaj pjese të Europës. Mirëpo ardhmëria nuk mund të imagjinohet me një shtet që mohon gjenocidin e kryer në Kosovë. E kaluara nuk është vetëm një nocion kohor! Tani për tani, e kaluara e afërt e dy shteteve tona ndahet me një hendek të madh të mbushur me mbi 10 mijë civilë të vrarë shqiptarë, në mesin e të cilëve janë 1392 fëmijë dhe 1739 gra; ende nuk dimë asgjë për fatin e më shumë se 1600 civilëve shqiptarë që u morën nga forcat serbe gjatë tërheqjes nga Kosova dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara seksualisht paraqesin një PLAGË TË MADHE QË KULLON GJAK, LOT DHE DHEMBJE! VETËM DREJTËSIA MUND TË NDIHMOJË TË MBYLLET KJO PLAGË E HAPUR.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments