ASH-AAA: Kjo qeveri nuk është e gatshme të realizojë regjistrim të besueshëm

43

Partitë opozitare shqiptare që janë në koalicion, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë dalë me akuza në drejtim të Qeverisë, në lidhje me regjistrimin e popullsisë.

Nga ASH-AAA thonë se kjo qeveri nuk është e gatshme të kryejë regjistrim të besueshëm. Sipas tyre, pushteti ka bërë dy devijime në raport me Ligjin për regjistrim dhe metodologji.

Kjo Qeveri nuk është e gatshme të kryejë regjistrim kredibil. Në ueb-faqen zyrtare të qeverisë “vlada.mk”, mes tjerash, janë publikuar informacione në lidhje me regjistrimin e diasporës. Aty, në mënyrë eksplicite, thuhet: ,,Për qytetarët të cilët në momentin e regjistrimit nuk ndodhen në shtet informacion japin anëtarët e familjes ose qytetarët të cilët më së miri i njohin të dhënat për ata persona, me kusht që personi që jep informatë duhet të dorëzojë dokumentacion valid, prej ku do të merret numri i amzës për personin që regjistrohet, me çka garantohet validiteti i informatës”.

“Prandaj duhet t’ua kujtojmë që, vetëm për disa ditë, ky është konfuzioni i dytë me radhë në lidhje me regjistrimin në relacionin ligj dhe metodologji. Tashmë për herë të dytë, fatkeqësisht, konfirmohet se si koalicion kemi pasur plotësisht të drejtë kur kërkonim që metodologjia të futet në pako me Ligjin. Por, këtë propozim tonin qeveria e refuzoi dhe, si pasojë, na ndodhin këto komente në kundërshtim të plotë me ligjin për regjistrim. Herën e parë kjo kishte të bënte me regjistrimin e përkatësisë etnike dhe fetare të diasporës, kur kishim konfuzion dhe deklarata kontradiktore të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikave, ndërsa tani kemi një informatë në ueb-faqen e qeverisë, që është në kundërshtim me ligjin e miratuar për regjistrim. Me këtë rast parashtrohet pyetja: ku do ta marrin pasaportën apo letërnjoftimin e familjarëve që ndodhen jashtë vendit?”

“Sepse, siç e dimë, Ligji thotë se “mjafton ta deklarojnë vetëm numri amë”. Ky është devijimi i dytë me radhë në raport me Ligjin për regjistrim dhe metodologji. Dy devijime kaq të mëdha në një kohë shumë të shkurtër na bën të dyshojmë se kjo qeveri nuk është e gatshme të bëjë regjistrim kredibil“, thuhet në reagimin e ASH-AAA.