7.3 C
Tetovo
E martë, 23 Prill, 2024
BallinaLajmeAnalistët: Koalicioni LSDM-BDI është në krizë, i bashkon vetëm lufta për mbijetesë

Analistët: Koalicioni LSDM-BDI është në krizë, i bashkon vetëm lufta për mbijetesë

Kanë filluar përplasjet mes zyrtarëve të lartë të koalicionit LSDM-BDI. Kryetari i komunës së Sarajit Blerim Bexheti ka thënë se iniciativa e anti-korrupsionit për padi ndaj tij është hakmarrje e kryeministrit Zoran Zaev për shkak të refuzimit që i ka bërë një kërkese për ndërhyrje në gjyqësor. Bexheti dje tha se një muaj më parë konkretisht 17 korrik Zaev ka kërkuar nga ai që të ndikoj tek disa anëtar të këshillit gjyqësor që të votojnë për shkarkimin e një kryetari të gjykatës.

“Zaev më ka thirrur në telefon që unë të ndikojë tek disa anëtarë të këshillit gjyqësor republikan se si të votojnë për një pikë të rendit të ditës. Dhe pas një bisede më të gjatë vërejta një insistim të çuditshëm dhe vet fakti një insistim i tillë dhe pas jo më shumë se dy javë ky komision në proceduar jo të rregullt duke punuar lëndën duke u habitur edhe vetë anëtarët e komisionit se si kush e ka punuar lëndën dhe votohet ashtu si votohet këto janë ato dyshimet e mia të bazuara që jam thellë I bindur për ndërlidhshmërin e njëra tjetrës”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit.

Akuzave të Bexhetit, kryeministri Zoran Zaev i është përgjigjur përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke mohuar pretendimet e kreut të Sarajit për hakmarrje apo presion për ndërrime në gjyqësor.

“Me Bexhetin kam folur për shumë çështje të rëndësishme si koordinator i ekipit për çështje juridike të BDI-së. Kemi folur për ligjin për prokurorinë publike që ende nuk është votuar, për ligjet e miratuar në gjyqësi dhe këshillin gjyqësor, por edhe për atë se si të kontribuojmë për zbatimin e ligjeve të miratuar… Me Bexhetin kemi biseduar edhe për spekulimet në opinion se dikush e mbron Jovo Vangellovskin në Këshillin Gjyqësor. Jam interesuar të di nëse kjo është e vërtetë dhe me këtë rast kam thënë se nuk është me vend një sjellje e tillë nëse ekziston. Çdokush duhet të bartë përgjegjësi në përputhje me ligjin, pa marr parasysh funksionin që bartë. Këtë ia kam thënë Bexhetit dhe këtë e them edhe publikisht”, thotë kryeministri Zaev në postimin e tij në facebook.

Sot partnerët e koalicionit mund t’i bashkojë vetëm një gjë: lufta për mbijetesë dhe si t’ia zgjasin jetën bashkëqeverisjes nëse do jetë e mundur për shumë kohë. Partitë në pushtet janë copa të arrnuara koalicionesh që duan përmes disa spektakleve dhe kinse zënkave mes drejtuesve institucional të tipit Zaev-Bexheti të tentojnë të ndalin hovin e një uragani politik që do t’i përmbys së shpejti së bashku, thotë për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, gazetari Urim Saliu.

Sipas tij ka institucione që duhet të merren tashmë me kryeministrin ,kryetarin e komunës dhe jo të jenë liderët partiakë që mund t’i qetësojnë “gjakërat”.

“Si mund të qetësojnë situatat Lsdm dhe BDI kur një kohë të gjatë ata janë si dy brigjet e një lumi, përherë të ndarë me njëri tjetrin. Në një pikë këta dy subjekte mund t’i bashkojë lufta për mbijetesën politike sepse në koalicion ato moti funksionojnë me raporte të ftohta”, shprehet Saliu .

Edhe njohësi i çështjeve politike, Naim Sinani thotë se sado që lideri i BDI-së Ali Ahmeti, mundohet ta zbus, e vërteta është se koalicioni LSDM-BDI ndodhet në krizë.

Sipas tij këtë më së miri e dëshmon përplasja e zyrtarit të lartë të BDI-së Blerim Bexheti, me kryeministrin Zoran Zaev, por edhe mosmarrëveshjet tjera që kanë qenë evidente tanimë një kohë të gjatë.

“Por me gjithë raportet e tensionuara nuk pritet prishje e kualicionit qeveritarë, pasi edhe BDI edhe LSDM, nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohëshme, me arsyetimin se janë të përqëndruara te euro-integrimet, edhe pse e vërteta është rënia e rejtingut, për shkak të mospërmbushjes së pritshmërive të qytetarëve. Për shkak të mosgadishmërisë për të shkuar në zgjedhje të parakohëshme, deklaratat amortizuese janë të pritshme edhe nga Ahmeti edhe nga Zaev”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari, Naim Sinani.

Për gazetarin Urim Saliu, Zaev e di më shumë se çdokush tjetër se çfarë do të thotë të vish në pushtet përmes bombave.

“Tani ai është në lëkurën e VMRO-istëve të dikurshëm. Para këtij skandali të madh “zhvatja” Zaev ndjehej i plotfuqishëm ndërsa BDI-në e shndërroi në një parti inekzistente ku në fakt ekzistonte vetëm termi partner koalicioni. Tani Zaev është mbështetur për muri dhe duhet të ketë një krahë. Ai s’ka fuqi më të merret me të tjerët dhe për herë të parë ai me deklaratat e fundit e ka humbur edhe qetësinë. Është si mjelma që para se të mbyllë sytë e këndon këngën e fundit”, tha ai.

Nga ana tjetër kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se nuk ka probleme në qeverisjen e përbashkët të LSDM dhe BDI. Sipas tij, partneriteti midis BDI-së dhe LSDM-së funksionon pa probleme, por ka dallime dhe paragjykime nga siç tha, “ndonjë anëtar i partisë së tij, por ajo nuk e rrezikon partneritetin”.

“Kuptohet që kemi edhe dallime. Kuptohet se ka edhe paragjykime nga ndonjë anëtar i organizatës sonë, por ajo nuk nënkupton se e rrezikon partneritetin dhe se do të krijohet ndonjë pakënaqësi deri në mosrespektim të partneritetit. Nuk ka kurrfarë problemi që do të na rrezikonte neve, partnerët e koalicionit”, theksoi Ahmeti i cili ka marrë pjesë në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit që sonte u mbajt në Klubin e deputetëve. Edhe Zaev ka theksuar se bashkëqeverisja po funksionon dhe se ai përjashtoi dorëheqjen si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

linku https://zhurnal.mk/analistet-koalicioni-lsdm-bdi-eshte-ne-krize-i-bashkon-vetem-lufta-per-mbijetese/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments