15.3 C
Tetovo
E diel, 28 Prill, 2024
BallinaKulturëAktuale / FJALËKËMBIM, PËR KOHËN E SHËMTUAR Nga patrioti SALI BUTKA(1852 –...

Aktuale / FJALËKËMBIM, PËR KOHËN E SHËMTUAR Nga patrioti SALI BUTKA(1852 – 1938)

Pyetje: Ç’është kjo kohë e shëmtuar?
Ç’qe ky rrezik që na erdhi!
Cili është shkaktari,
Këto gjakra që i derdhi?!

Përgj. Vëlla, pse më pyet mua?
Nuk e shikon Parësinë?
Shqipëria u rrëzua,
Dhe fare s’duan ta dinë.

Pyetje: Po Parësia ç’kërkuan,
Ç’është shkaku, pa ma thuaj?
Këta fronet i pushtuan,
Si me ardh njeri i huaj. . .

Përgj: Ashtu vërtet, mor i mjerë,
Po na qemë të gabuar,
Që i deshmë Ministorë,
Dhe muar frenë nër duar.

        Pra, ata bënë si deshnë,
        Për popullin s’mishëruan,
        As fare s’u vunë veshnë,
        Që vdiqnë udhëve, u shuan.

        Po vetëm për madhërinë,
        Kush e kush m’i math të bënet,
        S’punuan për Shqipërinë,
        S’lanë njeri që të prëhet.

Pyetje: Po ç’patnë, mos u marruan?
Nuk ta besonj këtë fjalë,
Se kështu turpin fituan.
Dhe puna në shesh do t’u dalë.

Përgj: Or, Zot, puna në shesh u doli,
Po ti nuk e ke kuptuar.
Kërë grindje kush e mbolli?
Punët kush i pat ndë duar?

       Populli ësht’ i pa ditur,
       Ka dhe shumë fanatikë,
       Ca të parë janë shitur,
       Pra, s’na mbet nder as pikë.

Pyetje: Vëlla, këtu ke të drejtë,
Se këta na ngatëruan ,
Dhe fajet i kanë pleqtë,
Që shok me shokë s’u bashkuan.

        Ca nga ca u kuptua
        Se ç’kërkonin Parësija,
        Gjithkush thoshte: “Për mua
        U bë çiflik Shqipëria!”

        Edhe mua m’u mbush koka,
        Për këta të mallkuar,
        I paskanë gjithçka të kota,
        Për vete kanë punuar.

Përgj: E, po kur të thashë unë?
S’punojnë për Mëmëdhenë,
Dhe nuk bëjnë tjetër punë,
Përveç të rritin vet’henë.

       Dhe fajet s’janë mënjanë,
       Që të thashë për bejlerët,
       Po dhe vegjëlia kanë,
       Edhe ca nga të krishterët,

       Që u bënë me Greqinë,
       Shqipërinë s’e pranuan,
       S’pëlqyen vëllazërinë,
       Po na doqnë e na shkretuan!

       Grekomanët e fëlliqur,
       I dhanë shkak Gegërisë1),
       Ashtu ishin porositur,
       Që u ngrit flamur’i Tyrqisë.

        Greqia lëshoi andarët,
        Vrasin, rrëmbejnë sa mundin,
        Dhe Tyrqia hoxhallarët,
        Më të dy anët e tundin.

       Ç’punuan këta gjakpirës,
       Që e shuan Toskërinë!
       I ranë me shqelm së mirës,
       Për Tyrkun e për Greqinë.

       Që asnjë dobi s’kanë,
       Me prapaganda mundohen,
       As njëra, as tjetra anë.
       Më në fund do të pendohen.

       Fajet do t’i kuptojnë,
       Që kërkuan robërinë,
       Me lotë të hidhur të vajtojnë,
       Sa për lule Shqipërinë.

Pyetje: Të pyes, a do të vinjë
Ndonjë kohë e vërtetë?
Atëherë kush do ta arrinjë,
Do të jet’ i lumtur për jetë.

Përgj: Të thashë, mos ki dyshime,
Me fuqi të Perëndisë,
Mbaj mënt dhe fjalën time,
Lulëzim’ e Shqipërisë

       Do të mos vejë koh’ e gjatë,
       Po ta bësh zëmrën të gjerë,
       Do të mos rrimë duar thatë,
       Do të fitojmë këtë herë.

       Shqipërinë e bën Evropa,
       Jo Priftërinjt’ e Hioxhallarë,
       Se këta janë mikroba,
       Dhe nëpunësit kusarë.

Pyetje: Ashtu më t’u ngjatë jeta,
Dhe të lumtë ajo gojë,
Këto janë të vërteta,
Për këto kemi nevojë.

       Zoti na faltë lirinë,
       Se patmë shumë gabime,
       Paskëtaj për Shqipërinë,
       Dua të vdes pa dyshime!

Më 13 të Vjeshtës së 2-të, 1914 – Bari Itali.

1). Kryengritja e Haxhi Qamilit
Shënim: Marë prej librit: Sali Butka “Ndjenja për Atëdhenë”, Korçë 1920, f.66 – 69

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments