13.3 C
Tetovo
E shtunë, 4 Maj, 2024
BallinaOpinionAkademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E...

Akademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS SË RILINDËSIT REXHEP VOKA? (III)

Reagim me sqarime në mbrojtje të së vërtetës (3)

Me shkas, pamfleti i autorit

Arben Ratkoceri

“Tetovari, Rexhep efendi Voka, ishte caktuar Kryetar i Kongresit të Manastirit, e jo përmetari, Mit’hat bej Frashëri. Mirëpo një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep Voka korruptohet nga Osmanët, duke u emëruar (dikund riemëruar) myfti i Vilajetit të Manastirit, hierarku më i lartë fetar. Ai me pas, tenton ta “minoj” punën e Kongresit, madje shkon më tej dhe përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, gjithnjë duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e Osmanëve. Përkundër kësaj, mbajtjen e Kongresit e shpëtuan, para së gjithash konsulli austro-hungarez, Augus Kral, pastaj Qiriazët e Manastirit dhe delegatët e Shkodrës dhe Korçës.

Nga ana tjetër sipas albanologut të shquar shkodran, Tomor Osmani, pas fjalimit të kryetarit të Komisionit të Alfabetit, Gjergj Fishta, qe ka zgjat një orë e gjysëm, një hoxhë nga Shkupi, delegat (nuk permend emrin),.me lot në sy dhe shumë i emocionuar i hidhet në përqafim Fishtës.”

(25 nëntor 2023)

* * *

Reagim me sqarime, për autorin e pamfletit dhe opinionin lexues

KUJT DHE PSE IA KEMI BORXH TA MBROJMË TË VËRTETËN PËR FIGURËN E RILINDËSIT REXHEP VOKA NGA DENIGRIMET, FALSIFIKIMET DHE PROPAGANDA E HUAJ

3.

Me këtë rast, duhet të sqarojmë se, këto reagime janë me shkas, pas publikimit të shkrimit pamfletist, nga gazetari, analisti dhe botuesi i gazetës “Koha” në Shkup, Arben Ratkoceri, që nuk kanë asgjë personale ndaj këtij autori, por lidhen me fenomenin e falsifikimit të historisë, denigrimin e personaliteteve të shquar shqiptarë, të aktualizuar një kohë të gjatë nga shumë persona, medie dhe qarqe intelektuale, që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, ku ndoshta padashur ka rënë pre e tyre edhe autori i këtij pamfleti.

Ne e kemi obligim të reagojmë, jo pa argumente, dhe jo sa për ta mbrojtur figurën e Rexhep Vokës, sepse atë e mbron vepra e tij dhe veprimtaria e bujshme për çështjen shqiptare, jo vetëm si teolog, por edhe publicist, dijetar, organizator i zhdërvjellët dhe patriot i pakompromis kundër robërisë e prapambetjes nën sundimet e huaja, edhe të Perandorisë Osmane, me qëndrimet e saj kundër identitetit, historisë, gjuhës shqipe dhe shkollës në gjuhën amtare, me veprimet që i ka sjellë dëme të paparashikueshme kombit shqiptar dhe e ka penguar krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, edhe në periudhën kur janë krijuar shtetet tjera ballkanike, me ndihmën e Rusisë dhe të Fuqive të Mëdha evropiane, sidomos në periudhën kur shihej qartë se i kishte ardhur fundi kësaj Perandorie, kur shqiptarët tanimë e kishin krijuar Platformën e rizgjimit të shqiptarëve, nga ideologët e Rilindjes Kombëtare.

Këtë ua kemi borxh:

Në radhë të parë figurës dhe veprës së rilindësit Rexhep Voka, një personaliteti tepër të veçantë e të rrallë nga Malësia e Tetovës, për kohën dhe rrethanat kur jetoi e veproi, këtij tribuni popullor të dalë nga një familje e varfër malësorësh sharrjanë, që e shkriu gjithë jetën për dije dhe arsim, për lirinë dhe përparimin e kombit të tij, dhe u largua nga kjo botë i varfër siç edhe kishte ardhur, si një bekim perëndie për popullin dhe vendin e tij.

Ia kemi borxhe edhe familjes Voka, një nga familjet më të mëdha të katundit Shipkovicë, me shtrirje në Tetovë e rrethinë, në Turqi, në shtetet evropiane dhe në shumë vende të tjera të botës, ku jetojnë e veprojnë sot me qindra nipër e mbesa nga kushërinjtë e Rexhep Vokës.

Ua kemi borxh shumë gjeneratave të mësuesve dhe nxënëseve të shkollës që e mban emrin e këtij rilindësi, të Shkollës fillore “Rexhep Voka” të Shipkovicës, të cilët janë edukuar, rritur e frymëzuar brez pas brezi me idetë dhe idealet e Rexhep Vokës.

Ua kemi borxh dhjetëra veprimtarëve të shoqërisë kulturore artistike, e cila e mban emrin e Rexhep Vokës, që ka vepruar nga vitet e shtatëdhjeta, me aktivitete që kanë shkëlqyer edhe në skenat e shumë festivaleve, me këngët e vallet burimore shqipe, edhe në kohën kur në pak vende të tjera këndohej lirshëm kënga dhe hidhej vallja shqipe, sidomos ato me frymë atdhedashurie.

Ua kemi borxh drejtuesve të shkollës, mësuesve dhe nxënësve të Shkollës fillore “Rexhep Voka”, që gjithmonë e kanë mbrojtur gjuhën shqipe, edhe me udhëheqjen e evidencës pedagogjike dhe të administratës në gjuhën amtare, kur këto vlera u kërcënuan nga pushteti përmes falangave të policisë edhe në pushtetin “demokratik” të Maqedonisë, më 1991. Përkundër faktit që, kolektivi i kësaj shkolle nuk gjeti përkrahje nga faktori politik shqiptar dhe as nga shumica e shkollave të tjera me mësim në gjuhën shqipe.

Ua kemi borxh, dhjetëra veprimtarëve e patriotëve nga Shipkovica dhe jo vetëm, që pandërprerë e kanë mbajtur të ndezur flakën e rezistencës dhe dashurinë për kombin e atdheun e lirë e të bashkuar, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Rexhep Vokës, duke krijuar në vazhdimësi organizata politike, kulturore e atdhetare, edhe kur janë persekutuar dhe dënuar pamëshirshëm nga regjimi komunist jugosllav, si drejtuesit e organizatës Liria, me Sadudin Gjurën (1952), të Partisë për bashkimin e tokave shqiptare, me Rahim Nezir Vokën e Zaim Beqirin me shokë (1981), me dhjetëra të tjerë të burgosur, përndjekur e persekutuar, për gjuhën, flamurin, për liri e përparim, me idealin për bashkim kombëtar të trashëguar ndër breza, edhe më 1952, 1968, 1981, 1990 dhe në vazhdimësi. Shumica e këtyre kanë qenë nga familja Voka, pasardhës ose nipër e mbesa të Rexhep Vokës.

Ua kemi borxh edhe Shoqatës politike e atdhetare “Kosova”, që ka iniciuar në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, edhe Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, që i nderoi me dekorata shtetërore disa personalitete të shquar nga ky krah i atdheut, mes të cilëve edhe rilindësin Rexhep Voka.

Ua kemi borxh edhe dhjetëra studiuesve të jetës dhe veprës së Rexhep Vokës, që kanë lënë studime të çmueshme, vepra shkencore, disertacione të doktoraturës, kanë organizuar tubime shkencore për këtë figurë të shquar dhe veprat e tij, ndër të cilët janë: Hasan Kaleshi, Jashar Rexhepagiqi, Petro Janura, Musa Kraja, Hajrullah Koliqi, Ali Vishko, Islam Islami, Feti Mediu, Avzi Mustafa, Nexhat Abazi, Xheladin Murati, Tahir Zajazi, Abdylazis Islami, Vebi Bexheti, Nebi Dervishi, Reshat Nexhipi, Vebi Xhemaili, Hamit Xhaferi, Mustafa Ibrahimi, studiuesit dhe autorët nga vendlindja e Rexhep Vokës, Baki Ymeri, Ejup Ajdini, Zeqir Kadriu, Shaip Emërllahu etj., si dhe studiueses nga Universiteti i Trakisë në Edrene, dr. Sindi Bilibashi me bashkëpunëtorët e saj, dhe shumë studiuesve të tjerë vendës e të huaj.

Ua kemi borxhe edhe gjithë asaj plejade të rilindësve dhe patriotëve shqiptarë, me të cilët ka punuar e bashkëvepruar Rexhep Voka, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Bukureshtit, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit, Kongresi i Dytë i Manastirit, Kongresi (tubimi gjithëkombëtar) i Ferizajit, që kishin një qëllim të vetëm përparimin e kombit shqiptar dhe mëvetësinë, krijimin e shtetit të pavarur shqiptar me të gjitha trojet etnike, përmes bashkimit të vilajeteve shqiptare të mëhershme në Perandorinë Osmane.

Ia kemi borxh edhe historisë, që ta themi e ta mbrojmë të vërtetën, ta ndriçojmë e përhapim atë, ta shkruajmë e mësojmë, ta trashëgojnë edhe brezat e ardhshëm, që të ndjehen krenarë edhe ata pas nesh, jo të turpëruar, të nënshtruar e përkulur para të huajve dhe armiqve të kombit shqiptar.

Vetëm drita e diturisë dhe e vërteta përpara do të na shpijnë!

Vazhdon…

(9 dhjetor 2023)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments