8.4 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAkademik Abdulla Mehmeti:Gjuhën maqedonase e flasin: vllahët, serbët, bullgarët vendës, boshnjakët, torbeshët,...

Akademik Abdulla Mehmeti:Gjuhën maqedonase e flasin: vllahët, serbët, bullgarët vendës, boshnjakët, torbeshët, shqiptarët ortodoksë!

Pushtetet në shtetet e ish-bllokut komunist në rajonin ballkanik ende janë me mendësi barbare
MOHIMI I GJUHËS ËSHTË MOHIM I KOMBIT, NDËRSA MOHIMI I NJË GJUHE DHE I NJË KOMBI NGA TË TJERËT ËSHTË BARBARI
1.
Mohimi i gjuhës maqedonase nga pushteti i Bullgarisë:
Pushteti aktual dhe institucionet shkencore të Bullgarisë fqinje e mohojnë ekzistimin e gjuhës maqedonase, që sipas tyre, emërtimi për gjuhën maqedonase duhet të jetë: “Gjuha zyrtare që e flasin banorët e Maqedonisë Veriore”.
2.
Mohimi i gjuhës shqipe nga pushteti i Maqedonisë Veriore:
Pushteti aktual dhe institucionet shkencore të Maqedonisë Veriore e mohojnë ekzistimin e gjuhës shqipe, që sipas tyre, emërtimi për gjuhën shqipe është: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, e ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase.”
3.
Qëndrimi i palës bullgare është i padrejtë, meqë gjuhën maqedonase në Maqedoninë Veriore nuk e flasin vetëm pjesëtarët e popullit sllav maqedonas, por edhe vllahët, serbët, bullgarët vendës, boshnjakët, romët, një pjesë e turqve, torbeshët, goranët, yrikët, shqiptarët ortodoksë edhe mbi 20 grupe etnike të tjera më të vogla, që jetojnë në këtë shtet.
4.
Qëndrimi i pushtetit dhe i institucioneve shkencore në Maqedoninë Veriore ndaj gjuhës shqipe është më joshkencor, jodemokratik, johuman e mohues, se sa qëndrimi i palës bullgare ndaj gjuhës maqedonase. Përderisa pala bullgare gjen arsye në mohimin e gjuhës maqedonase si gjuhë e njëjtë me gjuhën bullgare (siç thonë ata: formë e shkruar e një dialekti të bullgarishtes), si dy gjuhë nga e njëjta familje e gjuhëve sllave, cila është arsyeja e mohimit të gjuhës shqipe nga pala maqedonase (pushteti dhe institucionet shkencore), përderisa gjuha shqipe nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhët sllave, me asnjë gjuhë tjetër që e flasin popujt fqinjë, banorët e vendeve të rajonit dhe të gjithë Evropës?!
Gjuha shqipe është gjuhë e banorëve autoktonë të rajonit, njëra nga 30 gjuhët e botës më pak të rrezikuara të zhduken (sipas vlerësimeve nga UNESCO), gjuhë që e flasin shumica e banorëve në Maqedoninë Veriore, dhe si e tillë, gjuhë që e flasin mbi 30 milionë banorë të botës, gjuha shqipe zyrtare në Maqedoninë Veriore është garanci më e sigurt për të ardhmen e këtij shteti përballë sfidave në integrimet globale.
5.
Pushtetet e shteteve ballkanike kur do ta kuptojnë se mohimi i gjuhës është mohim i kombit që e flet atë gjuhë?
Por, drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare kur do ta kuptojnë se popujt dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë të ngutshme për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, jo për t’i ngjallur lugetërit dhe barbaritë e Mesjetës, për ta ricikluar mentalitetin primitiv ballkanik dhe luftën për dominim mes popujve të rajonit, por për emancipimin e elitave politike dhe intelektuale në këto shtete, humanizimin, demokratizimin dhe evropeizimin e tyre, përpara ringjalljes së barbarive dhe shpërthimit të ri të dhunës në këtë rajon.
(12.XII.2020)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments