Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përshëndetur nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e vlerësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe uljen e tensioneve ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, Ahmeti theksoi se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në promovimin e paqes dhe stabilitetit mbetet me rëndësi të veçantë për sigurinë globale.
“Përshëndes nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në kuadër të Samitit të G7, si një hap të rëndësishëm drejt dialogut, deeskalimit dhe forcimit të sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ahmetit.
Ai shprehu bindjen se memorandumi do të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe do të krijojë mundësi për një kapitull të ri të paqes, sigurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve.
Sipas Ahmetit, avancimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mbetet rruga më e sigurt drejt stabilitetit afatgjatë dhe një rendi global më të qëndrueshëm.

