BallinaLajmeAhmed Qazimi-Ramanxhiku / PISA 2025 - Një alarm për arsimin global

Ahmed Qazimi-Ramanxhiku / PISA 2025 – Një alarm për arsimin global

PISA 2025 – Një alarm për arsimin global
Rezultatet e reja të PISA nuk duhet shiquar thjesht si një seri numrash që duhen renditur në tabela dhe krahasuar mes shteteve.

Ato janë një sinjal i fuqishëm për gjendjen e arsimit në botë.

Mbi 760 mijë nxënës 15-vjeçarë nga 91 vende dhe ekonomi morën pjesë në ciklin e fundit të PISA-s, duke përfaqësuar rreth 33 milionë të rinj të kësaj moshe në mbarë botën. Rezultatet tregojnë një panoramë të pabarabartë, por një prirje është veçanërisht shqetësuese: në shumë sisteme arsimore, rezultatet nuk po përmirësohen; përkundrazi, në disa fusha ato vazhdojnë të bien.

Në vendet e OECD-së, matematika ka humbur 22 pikë në periudhën 2015–2025, ndërsa leximi ka rënë nga 489 në 461 pikë. Në të njëjtën periudhë, shkenca ka shfaqur një rënie më të moderuar.

Pas tyre qëndron një pyetje shumë më e madhe: çfarë po ndodh me mënyrën se si brezat e rinj mësojnë, mendojnë dhe ndërtojnë njohuri?

Sa herë publikohen rezultate të dobëta në arsim, debati publik tenton të kërkojë një fajtor të vetëm.

Një sistem arsimor është një ekosistem kompleks.

Rezultati i një nxënësi ndërtohet nga ndërveprimi i kurrikulës, mësimdhënies, vlerësimit, klimës së shkollës, udhëheqjes institucionale, familjes, kushteve socio-ekonomike, motivimit të nxënësit, kulturës së leximit, përdorimit të teknologjisë dhe politikave publike.

Prandaj, kur rezultatet bien, pyetja akademike nuk duhet të jetë:

“Kush është fajtor?”

Por:

“Cilët faktorë po ndërveprojnë për ta prodhuar këtë rezultat?”

Ky është dallimi ndërmjet një reagimi emocional dhe një analize shkencore të arsimit.

Rënia në matematikë dhe lexim është pjesë e një trendi më të gjatë.

Në fakt, OECD e përshkruan performancën e vitit 2025 si nivelin më të ulët mesatar të regjistruar ndonjëherë në të tri fushat kryesore në nivelin e OECD-së.

Kjo na detyron ta zgjerojmë analizën.

Nëse një problem shfaqet në sisteme të ndryshme arsimore, në kontinente të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme sociale, atëherë kemi të bëjmë me diçka më të madhe se performanca e një grupi mësuesish.

Kemi të bëjmë me transformimin e vetë mjedisit në të cilin ndodh të nxënit.

Fëmija i shekullit XXI nuk mëson më në të njëjtin mjedis

Kjo është ndoshta një nga çështjet më të rëndësishme që duhet ta trajtojmë.

Nxënësi i sotëm nuk hyn në klasë nga një botë pa informacion.

Hyn nga një botë ku informacioni është i pakufishëm.

Një klikim prodhon mijëra përgjigje.

Një video mund të zëvendësojë një shpjegim.

Një algoritëm mund të parashikojë interesat e tij.

Një chatbot mund të shkruajë një tekst.

Një platformë mund të zgjidhë një ekuacion.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i arsimit modern:

Sa më shumë mjete kemi për të prodhuar përgjigje, aq më shumë duhet të investojmë në aftësinë për të bërë pyetje.

PISA 2025 e vendos këtë çështje në qendër.

OECD konstaton se përdorimi i moderuar i teknologjisë për të nxënit mund të lidhet me rezultate më të mira, ndërsa përdorimi i tepërt dhe shpërqendrimi digjital lidhen me rezultate më të dobëta. Rreth 28% e nxënësve raportojnë se bashkëmoshatarët e tyre shpërqendrohen nga pajisjet digjitale në shumicën ose në çdo orë të shkencës.

Pra, problemi nuk është teknologjia.

Problemi është mungesa e pedagogjisë së përdorimit të saj.

Inteligjenca Artificiale: kërcënim apo mundësi?

Këtu arsimi po hyn në një territor krejtësisht të ri.

Inteligjenca Artificiale nuk është më një perspektivë e së ardhmes. Ajo është tashmë në duart e nxënësve.

Dhe përgjigjja institucionale nuk mund të jetë thjesht ndalimi.

Sepse ndalimi nuk e zgjidh problemin pedagogjik.

Nxënësi duhet të mësojë:

  • të dallojë informacionin e saktë nga ai i pasaktë;
  • të verifikojë një përgjigje të gjeneruar nga AI;
  • të argumentojë;
  • të analizojë;
  • të krijojë;
  • të përdorë teknologjinë si instrument, jo si zëvendësim të mendimit.

OECD thekson pikërisht këtë kompleksitet: lidhja ndërmjet përdorimit të AI-së dhe performancës nuk është lineare. Për disa detyra nxënësit që nuk përdorin AI kanë rezultate më të larta, ndërsa përdorimi i përgjithshëm dhe i kontrolluar mund të ketë marrëdhënie të ndryshme me performancën.

Kjo na çon te një parim themelor:

AI duhet ta shtojë përpjekjen intelektuale të nxënësit, jo ta zëvendësojë atë.

Sepse të mësuarit real nuk ndodh kur një makinë mendon në vendin tonë.

Ndodh kur ne përpiqemi të mendojmë.

Dhe këtu rikthehet mësimdhënësi.

Ironikisht, në epokën e Inteligjencës Artificiale, mësimdhënësi mund të bëhet edhe më i rëndësishëm.

Jo si transmetues i informacionit, por si dizajnues i përvojës së të nxënit.

Mësuesi i së ardhmes nuk duhet të konkurrojë me ChatGPT-në për të dhënë përgjigjen më të shpejtë.

Duhet t’i mësojë nxënësit pse një përgjigje është e mirë, si verifikohet dhe çfarë pyetjeje duhet bërë më pas.

Kjo kërkon mësues më të përgatitur, më shumë zhvillim profesional, më shumë autonomi pedagogjike dhe sisteme që i mbështesin ata.

Prandaj, rezultatet e PISA-s nuk duhet të përdoren si tabelë qitjeje për mësimdhënësit.

Ato duhet të përdoren si instrument diagnostik për të gjithë sistemin.

-Nga kultura e fajësimit te kultura e përmirësimit

Kjo është ndoshta reforma më e vështirë. Në shumë debate publike kërkojmë përgjegjësinë duke kërkuar fajtorin.

Por sistemet e mira arsimore funksionojnë ndryshe. Ato ndërtojnë mekanizma për të identifikuar problemin, për ta matur atë, për të eksperimentuar me zgjidhje dhe për të vlerësuar nëse zgjidhja funksionon.

PISA është pikërisht një mundësi për këtë.

Jo një konkurs.

Jo një armë politike.

Jo një gjyq .

Një instrument për reflektim sistemik.

Një rezultat i dobët nuk na tregon vetëm se nxënësit nuk dinë diçka.
Na pyet:
Pse nuk po e mësojnë?

Dhe më pas:

Çfarë duhet të ndryshojmë që ta mësojnë?

Arsimi duhet të kalojë nga mbulimi i përmbajtjes te thellësia e të nxënit

Një nga mesazhet më të rëndësishme të OECD-së në PISA 2025 është nevoja për fokus: më pak sipërfaqësi dhe më shumë zotërim real të njohurive dhe kompetencave. Kurrikula, mësimdhënia dhe vlerësimi duhet të punojnë në të njëjtin drejtim.

Kjo është një çështje themelore pedagogjike.

Një nxënës mund të memorizojë një kapitull të tërë dhe përsëri të mos jetë në gjendje ta përdorë atë njohuri në një situatë të re.

Arsimi cilësor nuk pyet vetëm:

“Çfarë di nxënësi?”

Pyet edhe:

“Çfarë mund të bëjë me atë që di?”

Ky është ndryshimi ndërmjet akumulimit të informacionit dhe ndërtimit të kompetencës.

Dhe pikërisht kompetencat për të menduar, komunikuar, zgjidhur probleme dhe aplikuar njohuritë në situata reale janë në qendër të filozofisë së PISA-s

Në vend të përfundimit

PISA 2025 duhet të na shqetësojë.

Por nuk duhet të na frikësojë.

Sepse një sistem arsimor që matet është një sistem që mund të përmirësohet.

Ajo që duhet të shmangim është tundimi për ta reduktuar një problem kompleks në një fajtor të vetëm.

Mësimdhënësi nuk është sistemi arsimor

Ai është një pjesë e tij.

As prindi nuk është sistemi.

As nxënësi.

As kurrikula.

As teknologjia.

As institucionet.

Rezultati është produkt i ndërveprimit të të gjithë këtyre faktorëve.

Prandaj, përgjigjja ndaj PISA-s nuk duhet të jetë baltosja.

Duhet të jetë reflektimi.

Nuk duhet të jetë paniku.

Duhet të jetë reforma.

Nuk duhet të kërkojmë vetëm:

“Kush e ka fajin?”

Duhet të pyesim:

“Çfarë duhet të ndryshojmë?

Pas çdo pike të PISA-s;

Qëndron një fëmijë.

Qëndron një mësimdhënës.

Qëndron një familje.

Qëndron një sistem arsimor.

Dhe mbi të gjitha, qëndron e ardhmja e shoqërisë.

Prandaj, PISA nuk duhet të jetë një tabelë qitjeje.
Duhet të jetë një pasqyrë.

Ahmed Qazimi, PhD
Doktor i Shkencave të Edukimit

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments