Kjo tokë e këtij qyteti të lashtë nuk është pronë e një mandati politik, as e një shumice të përkohshme në Këshillin Komunal. Është amanet i brezave që ndërtuan Tetovën me djersë, sakrificë dhe vakëfe të dhuruara për interes publik. Çdo pëllëmbë e saj mban kujtesën e qytetit dhe nuk mund të trajtohet si mall tregu për koncesione, PPP apo privatizime që në fund pasurojnë pakicën e rëndojnë jetën e shumicës.
Në çdo mbledhje po sillen vendime që prekin drejtpërdrejt qytetarin. Dje u votua rritja e faturave të mbeturinave, sot hapet rruga për futjen e parcelave publike në programe shitjeje. Kjo nuk duhet të trajtohet si procedurë administrative; është çështje ndërgjegjeje. Një qytet nuk matet me sa shet, por me sa ruan dhe krijon për brezat që vijnë.
Një njeri i urtë kishte thënë se kush pretendon të udhëheqë me një vendbanim mbi tokë, duhet të ketë së paku tre breza të varrosur në të. Vetëm atëherë e ndjen shpirtin e asaj toke, kujton këmbët që kanë ecur mbi të me shekuj dhe sakrificën që është bërë që ajo të mbetet e qytetarëve.
Tetova nuk duhet të mendojë si ta zvogëlojë pronën publike, por si ta shtojë atë. Nuk duhet të mendojë si t’i japë asetet me koncesion apo PPP, por si t’i kthejë ato në forcë zhvillimi për vetë qytetarët. Një komunë serioze nuk shet të ardhmen për të mbuluar problemet e së tashmes.
Mbamendja e këtij qyteti është e fortë; ajo në detaje i kujton njerëzit, familjet dhe fiset që kanë lënë gjurmë në Tetovë.
Tetova shumë mirë e kujton fisnikërinë e hoxhës që në ditën e xhuma doli para popullit dhe tha: “Sot nuk e kemi obligim faljen e xhumasë, por e kemi detyrim ta mbrojmë këtë tempull të diturisë.”
Por po aq mirë Tetova i kujton me emër e mbiemër edhe ata që sollën vendime për t’u prishur muret e shtëpive të tetovarëve.
Andaj ju, këshilltarë të respektuar — shumicën prej jush ju kam shokë e miq — para se të ngrini gishtin për të votuar, bëni një udhëtim në kohë. Mendoni për gjyshërit e stërgjyshërit tuaj, por mendoni edhe për nipat dhe stërnipat tuaj. Sepse kolltuku është i përkohshëm, ndërsa gjurmët që lihen mbi Tetovën mbeten për gjenerata.
Këshilltarët duhet ta kuptojnë se nuk janë aty për interesat e oligarkëve, por për amanetin e qytetarëve. Tetova nuk është kompani. Tetova është identitet, kujtesë dhe amanet.
Dhe amaneti nuk shitet. As për 1 euro, as për 1 miliard Euro.
