Aktivistët civilë në disa lokacione në Tetovë krijuan një “Hartë nëntokësore të kontejnerëve” me qëllim që t’u tregonin autoriteteve lokale nevojën për një zgjidhje afatgjatë për të ndryshuar praktikat dhe zakonet e menaxhimit të mbeturinave në komunën e Tetovës. Fletëpalosjet me hartën u shpërndanë gjithashtu për qytetarët, duke u bërë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë në një lagje më të pastër, një qytet më të pastër dhe një të ardhme më të pastër.
- Harta e Tetovës me “kontejnerë nëntokësorë” vendoset në qendër të qytetit, në mënyrë që të promovojë “përdorimin e kontejnerëve nëntokësorë” në të ardhmen. Harta tregon vendet ku duhet të vendosen këto kontejnerë në Tetovë, thonë OJQ “Multikultura”.
Aktivistët vendosën ta ndërmarrin këtë hap duke parë fotografitë me grumbuj mbeturinash çdo ditë në pothuajse të gjitha lagjet përreth qytetit.
- Nuk ka zgjidhje për mbeturinat në Tetovë! Plehrat mund të shihen kudo në qytet dhe ka vende si pika të zeza të krijuara nga zakonet dhe veprimet e pamatur të qytetarëve. Njëra prej tyre është hapësira e parashikuar për një kontejner të madh përpara varrezave Ortodokse ku njerëzit nga pjesë të tjera të qytetit, por edhe nga fshatrat, lënë mbeturina dhe madje edhe orendi, pajisje dhe mbeturina ndërtimi. Vende të tilla janë Saat Maalo, Koltuk, Pazari i Epërm, Vendbanimi Studentor, Ajduchko Maalo, stadiumi i vjetër i qytetit, salla e papërfunduar e sporteve në qendrën sportive dhe shtrati i lumit Pena, thonë nga “Multikultura”.
Aksioni “Harta e Tetovës me kontejnerë nëntokësorë” u zhvillua nga Shoqata Multikulturë – Tetovë, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur -SOROS – Maqedoni.