BallinaLajmeFilipçe: Kush e organizon ankandin për Alta Bankën, Banka Popullore apo Mickoski?

Filipçe: Kush e organizon ankandin për Alta Bankën, Banka Popullore apo Mickoski?

Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp ngriti një sërë pyetjesh lidhur me paralajmërimin e Mickoskit për shitjen e Alta Bankës.

Filipçe theksoi se Mickoski po paralajmëron blerës potencialë për Alta Bankën dhe po flet për shitjen e saj, ndonëse procesi i organizimit të ankandit është në kompetencë të Bankës Popullore.

„Sipas ligjeve dhe rregulloreve, nevojiten të paktën dy banka për t’u organizuar ankandi. A janë gjetur këto banka apo vallë të gjithë detyrimin ligjor të Bankës Popullore e ka marrë përsipër Hristijan Mickoski? A e di ai se cilat janë këto banka? A janë përzgjedhur bankat që do të marrin pjesë në ankand? Nëse janë përzgjedhur, pse nuk i dimë? Nëse nuk janë përzgjedhur, në çfarë cilësie dhe mbi çfarë baze ai po i kërkon dhe po i paralajmëron ato?“, deklaroi Filipçe.

Filipçe kërkoi përgjigje edhe për atë se çfarë garancish ekzistojnë që gjendja financiare e Alta Bankës në Maqedoni është reale dhe se nuk kemi të bëjmë me të njëjtin skenar si në Serbi, ku bilanci financiar i bankës, sipas tij, ekzistonte vetëm në letër.

„Ku është vërtetimi se nuk kemi të bëjmë me të njëjtin skenar si në Serbi, ku i gjithë bilanci i parave në Alta Bankën e Beogradit ishte vetëm në letër? A kemi dëshmi për këtë? Për këtë çështje kanë detyrim të japin përgjigje edhe guvernatori, edhe kryeministri“, tha Filipçe.

Ai shtoi se veçanërisht shqetësuese është çështja nëse Alta Banka disponon vërtet me një bilanc prej 80 milionë eurosh në Maqedoni dhe nëse janë të sigurta paratë e qytetarëve, kompanive dhe ndërmarrjeve publike, të cilat, sipas tij, janë vënë nën presion nga kryeministri dhe ministrja e Financave për t’i rishitur aksionet e tyre.

„A i kemi vërtet këtu në Maqedoni 80 milionë euro bilanc të Alta Bankës? A i ka banka këto para? A e kanë ende kapitalin e tyre qytetarët, kompanitë dhe të gjitha ndërmarrjet publike, të cilat kryeministri dhe ministrja e Financave i kanë vënë nën presion për t’i rishitur aksionet në Alta Bankë, apo jo? Kjo është një pyetje së cilës duhet t’i jepet përgjigje“, deklaroi Filipçe.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments