Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, ka reaguar në lidhje me pritjet e gjata që po i përjetojnë në mërgimtarët.
“Pritja e gjatë, e lodhshme dhe poshtëruese e mërgimtarëve në kufi është pasqyra më reale se si ky shtet, bashkë me shqiptarët e këtij pushteti, i percepton mërgimtarët. Ata po kthehen në vatrat e tyre, në familjet e tyre dhe, madje, sigurisht ata janë një injeksion i mirë për ekonominë e dergjur të vendit. Andaj është e patolerueshme kjo “pritje” që u bëhet.
Prandaj kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit që sa më shpejt të reagojnë dhe të mos lejojnë që mërgimtarët tanë të dashur të ndjehen të fyer e të poshtëruar.
Të dashur mërgimtarë, pavarësisht kësaj, ju jeni pjesa më e devotshme e kombit tonë dhe ne gjithnjë ju detyrohemi juve dhe do të mburremi me ju.
Mirë se vini në vatrat tuaja”, ka deklaruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.