Pas skandalit me mazutin, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkon që Prokuroria të ndërmerr masa në përputhshmëri me ligjin, me qëllim identifikimin e fajtorëve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. ASH-Alternativa vlerëson se Qeveria me vetëdije dhe me qëllim të përfitimit ka helmuar qytetarët për tre vite me radhë.Pyesim publikisht Kryeministrin Zaev: Si është e mundur që më qindra e mijëra tonelata mbetje toksike të derivateve të rënda të kalojnë në kontrollin doganorë dhe askush mos ta hetojë këtë për tre vite me radhë? Të nderuar qytetarë, Qeveria LSDM-BDI në vitet 2018 dhe 2019 kur Shkupi, Tetova dhe Kavadari ishin qytetet më të ndotura në botë, Ministri i Mjedisit dhe Zëvendës Kryeministri Angjushev i akuzonin qytetarët se po e ndotin ajrin si pasojë e ngrohjes me dru, por sot u kuptua se ata paskan qenë ndotësit dhe vrasësit e vërtetë të qytetarëve duke i helmuar me vetëdije me qëllim të përfitimit personal”, tha Bujare Abazi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa.