Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjatë fundjavës ka regjistruar rreth 400.000 raste të reja të Kovid-19 në botë, që, sipas saj, tregon se pandemia e re e koronavirusit nuk tregon kurrfarë shenja të dobësimit.
“Epidemia po përshpejton. Ne ende nuk e kemi arritur kulmin e pandemisë”, deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejzus, në onlajn konferencën për shtyp në Gjenevë.
OBSH-ja, gjithashtu, kumtoi se i pranon “dëshmitë e reja” për bartjen e koronavirusit përmes ajrit. Rekomandimet e tyre përfshijnë ventilim të madh në hapësirë të mbyllur, vendosje të filtrave të larta efikase për ajër dhe llamba ultravjollcë, si dhe shmangie e mbingarkimit në ndërtesat dhe transportin publik.