4.7 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaOpinionProf.Dr Jeton Shasivari / Driblimi parlamentar

Prof.Dr Jeton Shasivari / Driblimi parlamentar

Tashmë ish-deputetët nga përbërja e nëntë e mëparshme parlamentare, më 16 shkurt të këtij viti me 108 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, e miratuan vendimin për shpërndarjen e Parlamentit, dhe me këtë akt të tyre, ex-constitutionem, i humbën kolektivisht para kohe mandatet e tyre. Andaj, në kushte kur, vendimi i tyre i miratuar me 108 vota për shpërndarjen e Parlamentit, ende është në fuqi dhe, Gjykata Kushtetuese për momentin nuk e ka ndërmend që ta shfuqizojë apo anulojë atë, sidomos pas njoftimit të saj të para disa ditëve, ku thuhet se, kjo Gjykatë me shumicë votash vendosi që të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë së vendimit të deputetëve për shpërndarjen e Parlamentit, nisma e fundit e 35-së ish-deputetëve për thirrjen e sërishme të seancës së Parlamentit, nuk ka bazë kushtetuese, dhe si e tillë është në kundërshtim me parimin kushtetues të ushtrimit të pushtetit të qytetarëve përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike gjë që paraqet parimin kyç kushtetues të organizimit të pushtetit shtetëror në RMV.

Kur jemi te jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të RMV-së si organi i vetëm në sistemin kushtetues të RMV-së që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e që poashtu, ka edhe kompetencën e paprekshme për të vlerësuar parimet kushtetuese, duhet theksuar se, për herë të parë, kjo Gjykatë e ka shqyrtuar dhe përcaktuar bazën arsyetuese të çështjes së shpërndarjes së Parlamentit, në vendimin e saj të 15 nëntorit të v. 2006 me të cilin u shfuqizua dispozita e nenit 15 paragrafi 4 i Kodit zgjedhor (në të cilin sot thirren 35-së ish-deputetët) që parashihte se, mandati i deputetëve zgjat nga dita e verifikimit të tij deri në ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të posazgjedhur. Mirëpo, Parlamenti me miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor më 30 tetor të v. 2008, me dispozitën e nenit 6 sërish e shtoi dispozitën e njëjtë ligjore të mësipërme, duke treguar me këtë veprim se, Parlamenti si organ ligjvënës nuk i ka fare parasysh interpretimet, pikëpamjet dhe rezonimet juridike kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese dhe, se vendimet e kësaj Gjykate nuk kanë ndikim në orientimin e përmbajtjes së ligjeve që i miraton Parlamenti.

Mirëpo, ajo që është me rëndësi këtu, është rezonimi juridik kushtetues i Gjykatës Kushtetuese në përcaktimin e bazës arsyetuese të çështjes së shpërndarjes së Parlamentit. Në atë kohë, Kryetar i kësaj Gjykate ishte, juristi i dalluar nga Tetova, i ndjeri z. Mahmut Jusufi, ku mes tjerash, theksohet se: “Nga dispozitat kushtetuese është e qartë se, mandati i deputetëve fillon të rrjedhë nga mbledhja konstitutive e Parlamentit dhe zgjat 4 vite dhe mund të zgjatet vetëm në rast të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe të shkurtohet në rast të shpërndarjes së Parlamentit ose kur Parlamenti i ri konstituohet para kalimit të katër viteve. Me Kushtetutë nuk është përcaktuar që mandati i deputetëve në Parlament të zgjatet në rast të shpërndarjes së Parlamentit, si dhe nuk parashikohet që në këtë rast, deputetët të vazhdojnë me detyrën e tyre. Prej aty, është e qartë se, Kushtetuta mandatin e deputetëve në Parlament, dhe me të, edhe ushtrimin e funksionit ligjvënës, e vendos në korniza kohore të cilat nuk lejojnë ushtrimin e pushtetit pas kalimit të katër viteve ose pas shpërndarjes së Parlamentit, si dhe pas konstitutimit të Parlamentit të ri para kalimit të katër viteve. Andaj, Gjykata vërteton se, për arsye se, kjo dispozitë e kontestuar ligjore e rregullon kohëzgjatjen e mandatit të deputetëve në Parlament, në kundërshtim me normat e theksuara kushtetuese, duke tejkaluar bazën kushtetuese që me ligj të rregullohet vetëm mënyra dhe kushtet për zgjedhjen e deputetëve, e jo të rregullohet edhe mandati i deputetëve, sepse mandati i deputetëve është çështje tashmë e rregulluar kushtetuese, kjo dispozitë ligjore nuk është në pajtim me Kushtetutën”.

Arsyetimi i mësipërm parimor, poashtu është pjesë e një vendimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese të 25 majit të v. 2016 me të cilin Gjykata Kushtetuese e anuloi vendimin për shpërndarjen e Parlamentit të 18 janarit të v. 2016 dhe vendimin për ndryshimin e këtij vendimi të 23 shkurtit të v. 2016, edhe atë, sipas nismës kushtetuese të Kryetarit të Parlamentit nga përbërja e mëparshme parlamentare, z. Talat Xhaferi, i cili deri tani, fuqishëm qëndron pas Kushtetutës së vendit, me arsyetimin se, Parlamenti që nga momenti kur shpërndahet përfundon së ekzistuari dhe se, sovranitetin e ka kthyer tek ata të cilëve ju përket, pra tek qytetarët. Përndryshe ky qëndrim i z. Xhaferi është konsistent me nismën e tij kushtetuese të v. 2016, me çrast atë nismë deri te Gjykata Kushtetuese atëherë e arsyetoi me faktin se: “Kushtetuta nuk parashikon efektin shtyrës të vendimit për shpërndarjen e Parlamentit si dhe ndryshimin e vendimit të tillë, por qartazi parashikon shpërndarjen e Parlamentit që vlen nga dita e miratimit të vendimit për shpërndarje. Vendimi njëherë i miratuar për shpërndarjen e Parlamentit nuk mund të ndryshohet me vendim tjetër nga shkaku se, Parlamenti tashmë është i shpërndarë, që d.m.th. se Parlamenti nuk mund ta zgjerojë kompetencën e tij dhe të vendosë ndryshe nga ajo që është rregulluar me Kushtetutë lidhur me shpërndarjen dhe punën e tij. Nga kjo rrjedh se, me shpërndarjen e Parlamentit, qytetarët më nuk mund ta ushtrojnë pushtetin përmes asaj përbërje parlamentare, prandaj, shpërndarja e Parlamentit nuk ka të bëjë vetëm me Parlamentin, por edhe me të gjithë qytetarët e RM-së”.

Nga ana tjetër, arsyetimi i nismës së 35-së ish-deputetëve për thirrjen e sërishme të seancës së Parlamentit, se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 majit të v. 2016, deputetët nuk mund sërish të mblidhen pas vendimit për shpërndarjen e Parlamentit, përveç në kushte të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme konform nenit 63 paragrafi 4 të Kushtetutës, nuk ka bazë kushtetuese dhe paraqet një “driblim hedhës”, sepse vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme u miratua nga Kryetari i Republikës, 32 ditë pas humbjes kolektive parakohe të mandateve të deputetëve, pra më 18 mars të këtij viti, kështu që, nuk mund të zgjatet një mandat që paraprakisht nuk ekziston, pra që paraprakisht është humbur, dhe e vetmja mundësi kushtetuese, që të fitohet mandati i ri funksional, legal dhe legjitim parlamentar nga qytetarët janë zgjedhjet e reja parlamentare.

Për të pasur këtë gjë më të qartë, si shembull shkollor, mund të shërbejë, mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit kushtetues, z. Vlladimir Stojanoski të cilit më 14 prill të këtij viti, i skadonte mandati kushtetues nëntëvjeçar, mirëpo, për shkak të shpalljes paraprake të gjendjes së jashtëzakonshme më 18 mars, mandati i tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese u vazhdua për kohën e zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Poashtu, nuk qëndron as arsyetimi se, Qeverinë s’ka kush ta kontrollojë në këtë situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, sepse meqë Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në tërësi e ka veprimtarinë ligjvënëse përmes miratimit të dekreteve me fuqi ligjore, kontrolluesi i drejtpërdrejtë i kushtetutshmërisë së veprimtarisë ligjvënëse të Qeverisë është Gjykata Kushtetuese, me çrast tashmë disa lëndë janë formësuar dhe po punohen përkitazi me disa dekrete kontestuese me fuqi ligjore të miratuar nga Qeveria.

Poashtu, nisma e 35-së ish-deputetëve të përbërjes së mëparshme të nëntë parlamentare, është kontradiktore, për së paku dy arsye, edhe atë: e para, meqë konsiderojnë se, ende janë deputetë funksional, legal dhe legjitim, atëherë përse vendimin e parë më 18 mars dhe vendimin e dytë më 17 prill për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk e miratoi Parlamenti me shumicën prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, por këtë gjë e bëri Kryetari i Republikës, dhe e dyta, meqë thirren në dispozitën kushtetuese të nenit 63 paragrafi 4, ku thuhet se, mandati i deputetëve në Parlament mund të zgjatet vetëm në rast të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë përse këtë nismë nuk ia paraqesin Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç veproi kolegu i tyre, z. Xhaferi në v. 2016, kur sipas nismës së tij kushtetuese Gjykata Kushtetuese i anuloi të dyja vendimet për shpërndarjen e Parlamentit, dhe, si pasojë e kësaj, Parlamenti sërish u kthye në seancë në maj të v. 2016?!

Krejt në fund, mbetet të shihet nëse, në periudhën që vjen, Kryetari i Parlamentit nga përbërja e mëparshme e nëntë parlamentare, z. Xhaferi, do të jetë konsekuent në bindjet e tija kushtetuese, dhe këtij “driblimi parlamentar” do t’i përgjigjet me “kundër-driblim parlamentar” duke qëndruar nën Kushtetutën, apo megjithatë, do të ngritet mbi Kushtetutën nën ndikimin e pazarit eventual politik për një “pushtet shtesë” jashtë vullnetit demokratik të qytetarëve sepse ky “driblim parlamentar” mundet shumë lehtë RMV-në ta shpiejë në gjendje grushtshteti apo komploti kushtetues në emër të pasojave të koronavirusit sepse grushtshteti apo komploti kushtetues do të ishin shumë më të rrezikshëm se sa të gjitha pasojat e koronavirusit për qytetarët e sotëm dhe të ardhshëm të RMV-së.

Prof. Dr. Jeton SHASIVARI

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments