Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në natën e së premtes, pasi i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive në televizionin T7 se shefi i ekzekutivit kosovar e ka shikuar drejt në sy dhe i ka thënë se do ta heqë tarifën prej 100 për qind ndaj Serbisë.
“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë”, ka shkruar Kurti, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.
“Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV”, ka treguar Kurti.
“Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi”, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë.
“Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet”, ka deklaruar Kurti.
“Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial”, është shprehur ai.