Me rastin e pandemisë të shkaktuar nga virusi Covid-19, Shoqata “Fortesa” realizoi aksionin për grumbullimin e ndihmave humanitare për familjet me status të rrezikuar social të Kërçovës.
Me mjetet e grumbulluara nga anëtarët e shoqatës dhe vullnetarë të tjerë me shpirt human u grumbulluan mjete financiare me të cilat u siguruan 30 pako humanitare me produkte ushqimore dhe preparate higjienike.
Anëtari i kryesisë së Shoqatës “Fortesa”, Burim Sejdini, tha se me këtë aksion janë ndihmuar 30 familje me status të rrezikuar social që në këto kohë të vështira të shkaktuara nga virusi Korona, e ka vështirësuar tejmase jetën e familjeve të varfra të kësaj ane, duke paralajmëruar se aksione të këtilla do të organizohen edhe gjatë periudhës që vjen për të ndihmuar familjet skamnore në një periudhë të vështirë kohore të përballjes me varfërinë dhe virusin Covid 19.
Me këtë rast, Shoqata “Fortesa” u bëri apel të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë familjet me status të rrezikuar social, që të shprehin vullnetin e tyre të mirë për të dhënë kontributin e tyre solidar në mbështetje të shtresës së njerëzve me status të rrezikuar social të rajonit të Kërçovës, si një shtresë e familjeve që merr edhe goditjen e pandemisë globale.