Në një kohë që opozita organizon protestën e katër brenda pak ditësh, ambasada amerikane i përcjell qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri të bëjnë kujdes.
Përmes një mesazhi shpërndarë për të gjithë qytetarët amerikanë që jetojnë në Shqipëri, ambasada i bën thirrje që të shmangin prezencën e tyre në vendet ku do të mbahet protesta.
Në mesazhin e siguruar nga gazeta TemA, ambasada kërkon nga qytetarët amerikane që të monitorojnë median në lidhje me zhvillimet dhe zonat ku zhvillohet protesta.
“Paralajmërim për demonstratë – Ambasada e SHBA në Tiranë, Shqipëri (4 mars 2019)
Vendndodhja: Pikat e paralajmëruara të grumbullimit përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në, zonat e mëposhtme në Tiranë, Shqipëri:
Ndërtesa e Parlamentit
Zyra e Kryeministrit
Ndërtesa të tjera qeveritare
Ngjarja: Demonstratat priten të ndodhin kur Kuvendi i Shqipërisë të jetë në seancë. Datat e sakta janë të panjohura, por demonstratat mund të ndodhin në baza javore ose dy javore. Grupi synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratave të pritura është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës gjatë protestave të fundit.
Personeli i Ambasadës së SHBA-së dhe anëtarët e familjeve të tyre janë urdhëruar të shmangin të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku pritet të ndodhin ose janë duke ndodhur demonstratat.
Veprimet që duhen marrë:
Shmangni grumbullimet e mëdha dhe çdo zonë ku pritet të ndodhin ose janë duke ndodhur demonstratat.
Jini të vetëdijshëm për mjedisin tuaj.
Monitoroni mediat lokale për përditësime.
Mbani një profil të ulët.”- thuhen në mesazhin që ambasada e SHBA i ka dërguar qytetarëve amerikan që jetojnë në Shqipëri.