www.telegrami.mk– koment politik
Shasivari duhet të përgjigjet, jo vetëm të presë studentë
Ministri i Drejtësisë duhet ta bëjë publik qëndrimin e tij zyrtar. A ekziston një vendim i miratuar? A ka ndryshime ligjore ose akte nënligjore që duhen miratuar? Kur do të zbatohet zgjidhja? Dhe, mbi të gjitha, a mund të sigurojë ministria se studentët shqiptarë nuk do të vazhdojnë të përballen me pengesa gjuhësore në një provim që përcakton rrugën e tyre drejt profesionit juridik?
Këto nuk janë pyetje për opozitën që kërkon debat politik. Janë pyetje që burojnë nga vetë përgjegjësia e institucionit.
Në fund, Shasivarin nuk do ta gjykojnë nga numri i studentëve që ka pritur, por nga dokumenti që do të prodhojë dhe nga zbatimi që do të garantojë. Nëse zgjidhja ekziston, le ta dëshmojë me vendim dhe afat. Nëse nuk ekziston ende, le ta thotë hapur.
Sepse studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për një ministër që u shpjegon se problemi po zgjidhet. Kanë nevojë për një ministër që tregon se si, kur dhe mbi çfarë baze ligjore zgjidhet.
Kur zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, e kishte paralajmëruar publikisht zgjidhjen për Provimin e jurisprudencës, çfarë mbeti për t’u sqaruar në takimin e studentëve shqiptarë me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari?
Takimi i studentëve shqiptarë me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, mund të ishte një mundësi për të marrë përgjigje të qarta për një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat gjuhësore dhe të ardhmen profesionale të tyre. Por deklaratat e bëra para takimit e ngrenë një pikëpyetje të arsyeshme: a shkuan studentët për të kërkuar një zgjidhje, apo për të dëgjuar nga një ministër atë që një përfaqësues tjetër i qeverisë e kishte paralajmëruar tashmë publikisht?
Një ditë para takimit, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, deklaroi në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M se ishte gjetur një zgjidhje sipas së cilës mbi 75 për qind e Provimit të jurisprudencës do të mund të jepej në gjuhën shqipe.
Sipas deklaratës së tij, kandidatët deri atëherë e kishin dhënë të gjithë provimin vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa zgjidhja e paralajmëruar do t’u mundësonte ta zhvillonin në shqip pjesën më të madhe të tij.
Nëse kjo ishte zgjidhja e dakorduar, atëherë pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse duhej të pritej takimi me ministrin e Drejtësisë që studentët të kuptonin se çfarë ishte vendosur, çfarë ishte vetëm propozim dhe kur do të zbatohej?
Nëse, ndërkaq, bëhej fjalë vetëm për një propozim, atëherë studentët kishin të drejtë të kërkonin sqarime të plota, jo vetëm deklarata publike që tingëllojnë si vendime përfundimtare.
Studentët nuk kanë nevojë për premtime të përsëritura, por për vendime të dokumentuara.
Këtu qëndron edhe problemi i komunikimit brenda institucioneve. Kur një zëvendësministër flet publikisht për një zgjidhje konkrete, ndërsa ministri përgjegjës pret takimin me studentët për të diskutuar të njëjtën çështje, krijohet hapësirë për paqartësi. Nuk është e domosdoshme që kjo të nënkuptojë mospajtim mes tyre, por është e arsyeshme të kërkohet koordinim institucional dhe transparencë.
Studentët shqiptarë nuk duhet të shndërrohen në publik të një skenari ku secili zyrtar paraqitet si bartës i zgjidhjes. Ata duhet ta dinë se cila është baza ligjore, cilat pjesë të provimit do të jepen në shqip, si do të organizohet procedura dhe kur do të hyjë në fuqi zgjidhja.
Sepse e drejta për ta përdorur gjuhën shqipe nuk matet vetëm me përqindje të shpallura në studio televizive. Ajo matet me ligje të zbatueshme, procedura të qarta dhe garanci që kandidatët nuk do të përballen me interpretime të ndryshme nga një institucion te tjetri.
Pyetja për Jeton Shasivarin dhe Driton Sulejmanin mbetet: a ekziston një vendim konkret, i miratuar dhe i zbatueshëm, apo studentëve u është prezantuar si zgjidhje një proces që ende pret përfundimin institucional? PREMTIME…PREMTIME…
Studentët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje të shkruara. Dhe institucionet kanë detyrim të mos e ngatërrojnë paralajmërimin politik me vendimin juridik.
www.telegrami.mk
P.S.Nesër në vazhdimin 2 pjesa e fundit 4 …Jeton Shasivari duhet të bëjë dallimin… njoftimi politik nuk është vendim juridik, ndërsa paralajmërimi i një zgjidhjeje nuk do të thotë se ajo është miratuar dhe mund të zbatohet.
Mesut Shabani

