Të thuhet se në Maqedoninë Veriore nuk ka kandidat për kryetar shteti të pranueshëm për të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët e vendit pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe fetare, apo dallimeve mbi çfarëdo baze, është sikur të thuhet se në mal nuk ka dru, ose në detë nuk ka ujë. Çdo i dyti intelektual dhe politikan në këtë shtet ka prejardhje etnike të përzier, mjafton që kandidati të mos jetë dëshmuar si shovinist, të mos jetë i korruptuar dhe funksionar i lartë i ndonjë partie politike.
Loja politike për rikthimin në pushtet të OBRM-PDUKM (VMRO) përmes derës së „vogël“ që hapet me zgjedhjet presidenciale të radhës tanimë është e qartë, perdja është e tejdukshme, vetëm pritet që aktorët të ngjiten në skenë për këtë tragjikomedi nga e cila përgjithmonë do të hiqen maskat e disa politikanëve dhe partive politike në skenën aktuale.
Shpata e diktatorëve pret në të dyja anët dhe bie njësoj mbi kundërshtarët edhe mbi vartësit e tyre.
Në politikë kur mungojnë alternativat e shëndosha, duhet të zgjidhet e keqja më e vogël, deri në krijimin e klimës së re të përshtatshme për sigurimin e zgjidhjeve më të mira, më të drejta dhe fatlume për të mirën e përgjithshme të qytetarëve dhe të shtetit.
(28.II.2019)