BallinaLajme“Arsimi universitar në shqip është antikushtetues”, kërkohet sqarim nga VLEN dhe Shasivari...

“Arsimi universitar në shqip është antikushtetues”, kërkohet sqarim nga VLEN dhe Shasivari për deklaratat e Mickoskit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski deklaroi se arsimi universitar në gjuhën shqipe është antikushtetues. Ai theksoi se Kushtetuta në gjuhë tjetër lejon vetëm arsimin fillor dhe të mesëm. Këtij konstatimi i replikoi deputeti i BDI-së, Ilir Hasani i cili theksoi se në faktë, Kushtetua nuk e përcakton dhe as e ndalon këtë çështje, duke i drejtuar më pas pyetje ministri Jeton Shasivari, të përgjigjet nëse edhe ai mendon njëjtë si kryeministri apo ka intepretim tjetër, raporton Portalb.mk.

“Nëse e lexoni me kujdes Kushtetutën do të shihni se arsimi i lartë nuk mund të zhvillohet në asnjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ajo që ligji është ashtu siç është dhe që të gjithë kemi këtë lloj implanti, është çështje tjetër, pasi në gjuhë tjetër nga maqedonishtja mund të kemi arsim fillor dhe të mesëm, por jo edhe arsim të lartë”, tha Mickoski.

Deputeti, Ilir Hasani, tha se sipas kësaj, Universiteti në të cilin ligjëron Shasivari është antikushtetues dhe aty ku studiojnë mijëra e mijëra studentë dhe janë dhënë mijëra e mijëra diploma, janë antikushtetuese.

“Unë me këtë dijen juridike që e kam si kirurg e shfletova pak Kushtetutën e RMV-së dhe i gjeta këto argumente që nuk përputhen me këtë konstatim paushall të kryeministrit tonë. Neni 44 thotë se çdo kush ka të drejtë për arsim. Arsimi është i arritshëm për të gjithë në kushte të barabarta, arsimi fillor dhe i mesëm është i detyrueshëm dhe falas. Nuk potencon asgjë për arsim të lartë. Nuk përcaktohet gjuha e mësimdhënies në arsim të lartë, të mesëm dhe të ulët. Neni 46 për arsimin universitar thotë se autonomia e universiteteve garantohen. Kushtet për themelimin, ushtrimin dhe ndërprerjen e veprimtarisë së universiteteve rregullohen me ligj. As këtu nuk përcaktohet gjuha maqedone si gjuhë imperative, parësore ose gjuhë tjera të cilat duhet të jenë sekondare. Neni 48 thotë se pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të mësojnë gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm në mënyrë të përcaktuar me ligj. Shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhë tjetër, mësohet edhe gjuha maqedonase.Nuk përmendet arsimi i lartë”, tha Hasani.

Duke qenë se ministri i Drejtësisë nuk ishte prezentë, Hasani, kërkoi që Shasivari të përgjigjet me shkrim dhe të japë interpretimin e tij mbi këtë konstatim të kryeministrit, duke ironizuar “në guxofshi kundërshtojeni kryeminsitrin”.

“Në bazë të kësaj që e thash, pyetja për Jeton Shasivari dhe iu kisha lut të më përgjigjet me shkrim pasi nuk është prezent. Duke pasur parasysh se si ministër i Drejtësisë dhe njëkohësisht përgjegjës për interpretimin si profesor i kushtetueses në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës dhe mbrojtjen e rendit juridik dhe kushtetuese në Maqedoni, dëshiroj ta parashtroj pyetjen shumë saktë dhe drejtpërdrejt: A pajtoheni me konstatimin e kryeministrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e lejon arsimin e lartë vetëm në gjuhën maqedonase dhe se zhvillimi i mësimdhënies universitare është në kundërshtim ke Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut apo bazuar në interpretimin tuaj profesional dhe juridik të kushtetutës keni ndonjë qëndrim ndryshe nga kryeministri”, tha Hasani. 

Ndërkohë Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, në emisionin “Debat në Shenja”, tha se në Kuvend, kryeministri Hristijan Mickoski duke ju përgjigjur pyetjes së deputetit Skender Rexhepi, ka deklaruar se nuk mund të ketë mësim universitar në gjuhën shqipe, nga ana tjetër Kasami thotë se gjuha shqipe nuk është zyrtare.

“Ligjin që keni bërë ju e keni shkelur kushtetutën, imagjinoni këtë e tha kryeministri”, u shpreh deputeti Snopçe.

Snopçe tha se Bilall Kasami para dy tre ditëve tha se gjuha shqipe nuk është zyrtare, menjëherë pas tij kryeministri “thotë që Universitetet në gjuhën shqipe nuk duhet të ekzistojnë sipas kushtetutës”.

Nga ana tjetër, ndaj konsatimit të kryeministrit ka reaguar edhe Blendi Hodai, u cili tha se ajo që Kushtetuta e garanton shprehimisht në një nivel të arsimit, nuk nënkupton se e ndalon në një nivel tjetër.

“Por, kryeministër, ajo që Kushtetuta e garanton shprehimisht në një nivel të arsimit, nuk nënkupton se e ndalon në një nivel tjetër. Neni 44 garanton qasje të barabartë në arsim për secilin qytetar, ndërsa neni 46 ia lë ligjit rregullimin e veprimtarisë së universiteteve. Madje, vetë Marrëveshja Kornizë e Ohrit, së cilës i referohet Kushtetuta, në pikën 6.2 parasheh financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhën shqipe.

Pra, ajo që ju e quani implant në sistemin juridik të shtetit është zbatim i një marrëveshjeje së cilës i referohet vetë Kushtetuta. Arsimi në gjuhën shqipe nuk është favor që na e ka bërë dikush dje, e që mund të na e tërheqë dikush nesër. Kryeministër, na tregoni nenin që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Jo nenin që nuk e përmend, por nenin që e ndalon. Sepse Kushtetuta lexohet për të kuptuar se çfarë shkruan në të, jo për të gjetur në të atë që dëshirojmë të shkruante”, tha Hodai.

Edhe BDI reagoi duke thënë se që nga ardhja në pushtet, Mickoski çdo ditë na flet për një kushtetutë inekzistente dhe për ligje që nuk ekzistojnë. Deklarata e tij e fundit, se arsimi i lartë në gjuhën shqipe qenka një “implant”, është një tjetër dëshmi e qasjes së tij përjashtuese.

“Në Kushtetutën në fuqi nuk ekziston asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Përkundrazi, kjo e drejtë është e garantuar me legjislacionin në fuqi. Është paradoksale që pikërisht Mickoski, i cili me veprimet e tij cenon rendin kushtetues dhe juridik, sot mundohet të interpretojë Kushtetutën, duke e shkelur atë, sipas agjendës së tij politike. Me deklarata të tilla ai nuk bën asgjë tjetër veçse nxit tensione ndëretnike dhe krijon pasiguri juridike në vend. Burimi i tensioneve nuk është arsimi në gjuhën shqipe, por politika që vë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, thotë BDI.

Ata shtojnë se nuk duhet harruar se VMRO-DPMNE, përmes programit të saj që është pjesë edhe e programit qeveritar, paralajmëroi dhe premtoi shfuqizimin e Balancuesit. Më pas, sipas BDI-së, Gjykata Kushtetuese u vu në qendër të procesit që çoi në shfuqizimin e tij, duke hapur rrugë për shkeljes e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Po ashtu, janë shfuqizuar emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, ndërsa VMRO-DPMNE është një nga parashtrueset e iniciativave që synojnë shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Pikërisht kjo qeveri përjashtoi diasporën nga përllogaritja, dhe rrjedhimisht në mënyrë jokushtetuese dhe joligjore zvogëloi numrin e këshilltarëve nëpër komunat kryesisht shqiptare. Me këtë qasje, Maqedonia e Veriut po largohet nga parimet e bashkëjetesës, barazisë dhe marrëveshjes mbi të cilat është ndërtuar rendi i saj kushtetues. I bëjmë thirrje Mickoskit të heqë dorë nga retorika përjashtuese, të ndalë nxitjen e tensioneve dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. BDI do të vazhdojë të angazhohet dhe të përballet me çdo përpjekje për cenimin e të drejtave të garantuara, duke mbrojtur sigurinë juridike, barazinë dhe rendin kushtetues të vendit. Kërkojmë që VLEN-i të distancohet publikisht dhe menjëherë nga këto politika, të braktisë Qeverinë dhe institucionet, përndryshe do të jetë bashkautor dhe bashkëfajtor në këto politika përjashtuese, nxitëse dhe degraduese”, thonë nga BDI.

Debati për arsimin në gjuhën shqipe u rikthye në vëmendje pas kërkesës së studentëve shqiptarë të drejtësisë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe. Kjo çështje nxiti përplasje mes përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe institucioneve, ndërsa studentët kërkuan zgjidhje për mundësimin e provimit në shqip.

Debati u intensifikua pas përplasjes mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Venedikut. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments