BallinaLajme600 provime profesionale të përkthyera në shqip! VLEN paralajmëron edhe jurisprudencën, BDI...

600 provime profesionale të përkthyera në shqip! VLEN paralajmëron edhe jurisprudencën, BDI kërkon zbatimin e ligjit

“Nga provimet vetëm në maqedonisht, tash edhe në 100% shqip!” VLEN thotë se ka bërë një hap të ri në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Këtë të arritur e prezantuan dy bashkëkryetarët, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Sipas Mexhitit, 600 provime janë përkthyer dhe tashmë kandidatët shqiptarë mund të japin në shqip provimet për revizorë, agjentë sigurimesh, edukatorë dhe profesionistë të shëndetësisë. VLEN paralajmëron se së shpejti edhe provimi i jurisprudencës do të mund të jepet në gjuhën shqipe.“Te Ministria e Sociales Demografisë veç ma janë në fuqi, për herë të parë jepet në gjuhën shqipe provimi, katër provime, d.m.th. licencat i marrin në dy gjuhë edhe në shqip, në Entin Shtetëror për Revizion dje u mbajt provimi, 600 provime janë përkthyer nga përkthyes profesionalë, janë futur në sistem elektronik dhe për herë të parë dje është mbajtur provimi në gjuhën shqipe për shqiptarët dhe licencat i kanë marrë në gjuhën shqipe, në MAPAS është kryer procedura, provimin e kanë nëse nuk gaboj më 3 dhjetor dhe këto pjesa dërrmuese vetëm janë të realizuara dhe i keni në kopje të dokumentuara”, tha Izet Mexhiti.

Nga VLEN thonë se deri para dy vitesh këto provime zhvilloheshin vetëm në maqedonisht, ndërsa tani, sipas tyre, janë hapur mundësi të reja për kandidatët shqiptarë. Ata premtojnë se do të vazhdojnë angazhimin që shqipja të përdoret në çdo institucion dhe procedurë shtetërore.“Duke hapur kapitullin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, ne po bëjmë atë që BDI për 20 vite vetëm e premtonte. Këto nuk janë vetëm ndryshime administrative. Këto janë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë, për profesionistët e rinj dhe për të gjithë ata që duan të avancojnë në karrierën e tyre pa u përballur me barriera gjuhësore. Ne nuk premtojmë. Ne veprojmë dhe sjellim rezultate”, tha Mexhiti.

Pas konferencës së VLEN-it, reaguan nga BDI, duke thënë se VLEN-i konfirmoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Kushtetuta mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe. Sipas integristëve, e njëjta e drejtë duhet të vlejë edhe për provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore, ndërsa pengesa e vetme , sipas tyre, është mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjit.

“Nëse sot mbahen provime profesionale në gjuhën shqipe, duke u bazuar pikërisht në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe në Amendamentin V të Kushtetutës, i cili e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: pse e njëjta bazë ligjore dhe kushtetuese të mos vlejë edhe për provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore? Sot u dëshmua edhe një herë se gjuha shqipe ka bazë të qartë ligjore dhe kushtetuese për këtë të drejtë. Problemi nuk është te mungesa e ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe kapacitetit të kësaj garniture qeverisëse, e cila pa legjitimitet politik nuk arrin as ta zbatojë ligjin”, deklaroi BDI.

Sipas BDI-së, edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar se ligji garanton dhënien e provimeve profesionale në shqip dhe se institucionet janë të obliguara ta zbatojnë atë. Nga BDI paralajmërojnë përgjegjësi juridike dhe kombëtare për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments