Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se është nxjerrë nga konteksti deklarata e tij e disa ditëve më parë lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Rama theksoi që ai nuk përzihet në çështjet e brendshme të Maqedonisë së Veriut, ndërsa premtoi se Shqipëria kurrë nuk do ta pengojë anëtarësimin e vendit në BE.“Asnjëherë nuk do t’ia lejoja vetes që t’i tregoja Qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjë…”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
“Kam shtuar që kjo veto mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht dhe normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjeshtë opinion i im. Nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk do të bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, theksoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Kryeministri Mickoski theksoi se çështja e brendshme për ndryshime kushtetuese mund të tejkalohet nëpërmjet ndërtimit të besimit.
“Ato janë çështje të brendshme të një shteti, kuptohet që ne jemi të vetëdijshëm për realitetin, nuk e injorojmë realitetin dhe gjithashtu jemi konstruktiv dhe ofrojmë gjithmonë zgjidhje për tejkalimin e kësaj sfide”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
“Që një proces të jetë pozitiv, nevojitet besim. Ndërsa besimi ndërtohet me punë dhe projekte që na lidhin. Njëri prej atyre projekteve që na lidh është pikërisht korridori 8 që i lidh tre vendet edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë edhe Bullgarinë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Futja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është bërë shkas për bllokimin e procesit integrues të vendit në Bashkimin Evropian, pasi është bërë pjesë e kornizës negociuese. Ndërkohë që BE-ja insiston të kryhet detyrimi, Maqedonia e Veriut kërkon garanci shtesë që këto ndryshime të jenë të fundit sa i përket çështjeve bilaterale me Bullgarinë. Megjithatë, garanci të tilla nuk jepen.
